Ministria e Kulturës hesht për mbylljen e pjesshme të Kalasë së Prizrenit

Kalaja e Prizrenit
30 Prill 2026
Tri ditë pas njoftimit se “pas vlerësimeve profesionale që evidentojnë gjendje të rënduar të disa strukturave dhe rrezik potencial për vizitorët”, Kalaja e Prizrenit është e mbyllur pjesërisht për vizitorë, Ministria e Kulturës dhe Turizmit, nuk ka përgjigje se përse është arritur deri në gjendjen që të mbyllen disa pjesë të monumentit ku janë investuar mbi një milion euro, kush mban përgjegjësi për këtë degradim dhe si planifikohet të dilet nga kjo situatë. Për ata që janë marrë drejtpërdrejt me Kalanë, kjo gjendje tregon moskujdesin e institucioneve përgjegjëse për monumentin, ku janë investuar mbi një milion euro
Lajmi për mbylljen e disa zonave të Kalasë së Prizrenit për vizitorë ka shpërfaqur degradimin e monumentit dhe moskujdesin e shtetit në raport me një prej aseteve më të vizituara të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Por prej së hënës, kur Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka dhënë lajmin për mbyllje të paafatshme të disa zonave për shkak të rrezikut, ky institucion, e as Instituti Arkeologjik i Kosovës, nuk kanë treguar se në bazë të cilit raport është arritur deri te ky përfundim, e as se cilët do të jenë hapat e ardhshëm. Për ata që janë marrë drejtpërdrejt me Kalanë, kjo gjendje tregon moskujdesin e institucioneve përgjegjëse për monumentin, ku janë investuar mbi një milion euro.
KOHA, të hënën, me t’u bërë publik njoftimi i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ka kërkuar nga ky institucion sqarime se përse është arritur deri në gjendjen që të mbyllen disa pjesë të Kalasë së Prizrenit për vizitorët, kush mban përgjegjësi për këtë degradim të monumentit dhe si planifikohet të dilet nga kjo situatë. Por Ministria nuk është përgjigjur as të mërkurën. Nuk është përgjigjur as ndaj kërkesës për të pasur qasje në raportin, i cili në njoftim përmendet si arsyetim i vendimit për mbyllje.
KOHA të njëjtat sqarime i ka kërkuar edhe nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Institutit Arkeologjik të Kosovës, Zana Rama. Por Rama, siç vepron vazhdimisht, nuk ka kthyer kurrfarë përgjigje.
“Në funksion të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe sigurisë së qytetarëve, Ministria e Kulturës dhe Turizmit njofton se monumenti Kalaja e Prizrenit do të mbyllet përkohësisht në disa prej zonave të saj. Ky vendim është marrë pas vlerësimeve profesionale që evidentojnë gjendje të rënduar të disa strukturave dhe rrezik potencial për vizitorët. Zonat me rrezik do të jenë të shënuara dhe të kufizuara deri në një njoftim të radhës”, shkruhet në njoftimin e së hënës të lëshuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Aty bëhet e ditur se, po ashtu, pezullohet menjëherë dhënia në shfrytëzim e hapësirave të kalasë për aktivitete nga organizata, iniciativa kulturore dhe artistë të pavarur, deri në stabilizimin e gjendjes dhe krijimin e kushteve të sigurta.
“Publiku do të njoftohet me kohë për çdo zhvillim të mëtejmë dhe për afatet e mundshme të rihapjes. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve dhe palëve të interesuara, duke theksuar se ky vendim është në shërbim të ruajtjes së një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë sonë dhe të sigurisë së vizitorëve”, shkruhet në njoftim.
Fondacioni Kosovar për Trashëgimi Kulturore pa Kufij, “CHwB Kosova”, ka qenë partner me Institutin Arkeologjik të Kosovës më 2014, kur në monument janë investuar 700 mijë dollarë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përkatësisht të Fondit të Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore.
Drejtuesi i “CHwB Kosova”, Sali Shoshi, ka thënë se kohëve të fundit nuk e ka vizituar Kalanë.
“Por, siç kam thënë gjithmonë, monumentet kërkojnë plan menaxhimi dhe mirëmbajtjeje, në mënyrë që çdo ditë të ketë kujdes të vazhdueshëm. Nëse nuk e kanë këtë, gjendja e tyre degradohet. Që nga fillimi, Kalasë i ka munguar struktura që e menaxhon dhe implementimi i planit të menaxhimit, ashtu siç është draftuar nga ‘CHwB Kosova’”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, monumentet duhet të mirëmbahen, jo vetëm teknikisht, por edhe të jenë të qasshme. Ai ka thënë se plani i menaxhimit është instrumenti që hartohet për të qenë operacional, për t’i mbrojtur, për t’i bërë të qasshme monumentet dhe për t’i mirëmbajtur ato.
“Çdo degradim ka pasoja. Ka kosto për restaurim dhe rehabilitim, ndërsa monumentet nuk janë të qasshme për publikun. Aktualisht, Kalaja po e dëmton edhe aspektin e promovimit kulturor të Prizrenit. Sipas dijenisë sime, ai lokalitet ka deri në pesë mijë vizitorë në ditë gjatë verës. Sikur të ishte mirëmbajtur, do të mund të gjeneronte edhe të hyra. Kjo do të krijonte mundësi që të mos ketë nevojë që shteti të ndajë mjete shtesë. Është e nevojshme të fillohet me zbatimin e planit të menaxhimit, pasi pasojat mund të jenë edhe më të mëdha, edhe për lokalitete të tjera”, ka thënë Shoshi.
Plani i menaxhimit, i miratuar në fund të vitit 2020, ka qenë pesëvjeçar. Ministria e Kulturës nuk i është përmbajtur këtij plani në plotësinë e tij, dhe monumenti ka ardhur në gjendjen që të mbyllet në disa pjesë.
Ministria e Kulturës, muajve të fundit, ka dështuar tri herë radhazi që të bëjë një intervenim emergjent në Kala. Nuk ka gjetur kompani që, për afro 85 mijë euro, të realizojë punët e klasifikuara si “ndërhyrje emergjente”. Institucioni më i lartë kulturor në vend ka hapur dhe mbyllur tri thirrje publike, por pa sukses.
KOHA disa herë ka raportuar për gjendje jo të mirë në këtë aset.
Kalaja e Prizrenit, ende pa u futur brenda rrethojës, shihet se është njëfarë lokaliteti i braktisur. Në cilindo drejtim që nisen vizitorët, nuk marrin vesh gjë. Tabelat informuese i ka bjerrë koha. Shërbejnë vetëm si pamje të shëmtuara dhe relikte që dëshmojnë moskujdesin e shtetit. Shtigjet e drunjta kanë degraduar deri në masën sa rrezikojnë vizitorët. Janë arnuar me dërrasa, por si zgjidhje që e ka shëmtuar hapësirën dhe vetëm pak e ka rritur sigurinë. Viteve të fundit, ky aset dhe shumë të tjera, jo rrallë kanë mbetur edhe pa roje dhe pa mirëmbajtje. Janë braktisur nga shteti.
Të hënën, arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Shafi Gashi, kishte thënë se Kalaja, në të gjitha fazat e saj, asnjëherë nuk është mbyllur.
“Mbyllja e një pjese të caktuar, nëse fillohet me punime, ka një logjikë. Por, meqenëse deri më sot nuk kemi asnjë raport ose të dhënë që ka ndodhur ose mund të ndodhin lëndime, atëherë cila është logjika e mbylljes së disa zonave? Për më tepër, nuk e kuptoj në asnjë formë se përse nuk merren hapa praktikë. Emergjente janë shtigjet e ecjes dhe tabelat informuese. Ato nuk kanë kosto të madhe financiare”, kishte thënë ai.
Gashi kishte thënë se, në fund të fundit, duhet ditur cili person, këshill apo komision e ka konstatuar se Kalaja paraqet rrezik.
“Me sa di unë, asnjë specialist i trashëgimisë kulturore që ka qenë pjesë e projekteve të Kalasë nuk është i inkuadruar në këtë proces. Nuk është konsultuar asnjë njeri që ka qenë pjesë e proceseve. Kurse unë jam i përjashtuar krejtësisht nga çdo gjë në Kala. Gjykoj se nuk është e mirë për institucionin që të bëhen shkëputje të tilla drastike nga njerëzit që janë marrë me Kalanë”, ka thënë ai.
Sipas Gashit, duket sikur Kalasë i është shpallur luftë, pasi që nga viti 2019 është e pafalshme që për një monument të ketë zero angazhim nga institucionet kompetente.
Ministria e Kulturës nuk ia ka dalë që, as në dy tentime, ta pajisë Kalanë e Prizrenit me ciceronë. I ka anuluar konkurset vitin e kaluar dhe sivjet. Në bazë të Ligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, për këtë aset janë 85 mijë euro si vazhdim i vitit të kaluar. Mjete të reja nuk ka shtesë. Deri sivjet, sipas këtij ligji, aty janë shpenzuar 1 milion e 117 mijë euro.
Gazeta Koha, Prishtine
