Ministria e Jashtme u dha me koncesion nga Kryeministri Rama. –

24 Janar, 2019

-Praktikisht Edi Rama ia ka falur diplomacinë shqiptare, një 28 vjeçari që nuk ka lidhje me Tiranën zyrtare, bile duke e dorëzuar detyrën në interesa të tjerë rajonal. Akuzat dje vinin pikërisht nga Kosova, ku thuhej se me këtë akt ministria e jashtme e Shqipërisë iu dorëzua njerëzve të Presidentit serb Vuçiç, të cilët do të punojnë me flamurin shqiptar për ta ndarë Kosovën në pjesët që kërkon Beogradi.

Pa u mbushur ende 24 orë nga marrja e detyrës dhe bërja e betimit si Ministër i Jashtëm, Kryeministri Edi Rama ija delegoi dje të gjitha kompetencat e funksionit të kryediplomatit, pikërisht  zëvendësministrit të Jashtëm, Gent Cakaj, i cili nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës.

Në një ceremoni në Ministrinë e Jashtme, në prani edhe të trupit diplomatik të huaj në Tiranë, kreu i qeverisë mbajti fjalimin që siç tha dhe vet ishte më i shkurtri në karrierën e tij. Vetëm një fjali ku konfirmonte se detyra e ministrit nuk ishte e tija, por e Gent Cakaj. Më pas fjalën e mori Ditmir Bushati, ku në mesazhin e lamtumirës kishte vlerësime për diplomatët e karrierës dhe më shumë kunja të hidhura për kryeministrin Edi Rama, i cili edhe sot nuk ka dhënë asnjë shpjegim zyrtar se përse e shkarkoi atë nga detyra si mimistër, që pranohet pothuaj nga të gjitha krahët politikë se ishte ministër i sukesshëm. Sigurisht foli dhe zëvendësministri i ri Gent Cakaj, por në komunikimin e tij të parë publik, në vend të ndonjë strategjie apo qëndrimi të politikës tonë të jashtme, mbetën në mendje vetëm lavdet e tepruara për Edi Ramën. Një nisje jo aq e mbarë për një njeri “shumë të lexuar” që dje më shumë se me kulturën e gjerë, të linte pa fjalë për servilizimin ndaj shefit të Ekzekutivit.

Deri në këtë pikë nuk ka asnjë dalje nga skenari që paralajmëroi Rama. Deklaroi se Gent Cakaj do mbante postin e ministrit dhe formalisht e bëri fakt të kryer. Problemi në gjithë këtë rrëmujë aspak diplomatike të shtetit shqiptar është baza ligjore. Nuk dihet sesi ua ka shpjeguar ambasadorëve të huaj në Tiranë atë që po ndodhte në Ministrinë e Jashtme. Kryeministri tha se ia kalon detyrën zëvendësit 28 vjeçar, por shteti shqiptar nuk ka asnjë procedurë që i jep vlerë ligjore këtij “transferimi” detyre. Kushtetuta parashikon se ministri merr detyrën nga Presidenti dhe përgjigjet personalisht, pasi bën betimin për funksionin që i është ngarkuar. Në ligjet e Shqipërisë nuk ka asnjë nen që parashikon se si një njeri që votohet në Kuvend dhe bën betimin mbi Kushtetutën, aktin më solemn të një shtetari, ditën tjetër deklaron se nuk do të jetë ai zyrtari që do ushtrojë funksionin, por dikush tjetër. Praktikisht Edi Rama e ka dhënë me koncesion diplomacinë shqiptare, duke e dorëzuar detyrën në interesa të tjerë rajonal, ku akuzat shkojnë shumë larg. Akuzat dje vinin pikërisht nga Kosova, ku thuhej se me këtë akt ministria e jashtme e Shqipërisë iu dorëzua njerëzve të Presidentit serb Vuçiç, të cilët do të punojnë me flamurin shqiptar për ta ndarë Kosovën në pjesët që kërkon Beogradi.

Këto ditë kryeministri Edi Rama ka përsëritur me dhjetëra herë se Presidenti shkeli Kushtetutën duke mos e dekretuar Genc Cakaj. Por po dje, vet Edi Rama ka shkelur dhunshëm Kushtetutën duke deleguar kompetencat e detyrës për të cilën bëri betimin. Shkelja e parë është se posti i ministrit nuk mund të delegohet, njëlloj siç delegohet një funksion partiak. Gent Cakaj, nuk është votuar nga Parlamenti, nuk është dekretuar nga Presidenti dhe as nuk ka bërë betimin për të qenë ministër i Jashtëm. Ti japësh në dorë diplomacinë një njeriu që s’ka kaluar asnjë nga këto procedura, kushdo qoftë ai, është thjesht shkelje kushtetuese. Ndërsa shkelja e dytë është se problemet që ekzistonin për Gent Cakaj vijojnë të jenë ende dhe nuk kanë marrë fund pasi Rama bëri betimin. Zëvendësministri i Jashtëm, ende nuk ka të sqaruar çështjen e certifikatës së sigurisë që e mori brenda 12 orësh. Për këtë problem është kërkuar ngritja e një komisioni hetimor parlamentar që mund të nxjerrë në publik skandale edhe më të mëdha që janë gatuar në zyrat e Kryeministrisë.  Shkelja tjetër morale dhe ligjore është se dy ditë më parë Edi Rama u betua në mënyrë se do të kryente detyrën e ministrit dhe jo se do ta delegonte atë. Pra, pa u mbushur ende 24 orë nga betimi Edi Rama e nisi me shkelje detyrën e re.

Problemi tjetër që nuk është ligjor, por moral dhe lidhet me seriozitetin e diplomacisë shqiptare. Në faqen zyrtare të këtij institucioni ende nuk ka një jetëshkrim të zv/ministrit Cakaj. Ambasadorët e huaj në Tiranë, zyrtarë ndërkombëtarë dhe kancelaritë e huaja ende janë në kërkim të një profili për njeriun me të cilin do komunikojnë.

Por problemet ligjore me aktin e djeshëm të Ramës duken të “vogla” në krahasim me thelbin e asaj që po ndodh dhe që përfaqëson zv/ministri Cakaj. I riu nga Kosova është prezantuar në Tiranë si njeriu pro shkëmbimit (copëtimit) të territorit të Kosovës. Është një zë që shkon në kodrapedal me gjithë qëndrimet shtetërore të Presidentit, diplomacisë zyrtare të Tiranës deri më sot, të opozitës dhe sigurisht të pjesës më të madhe të mazhorancës dhe Partisë Socialiste. Ideja e ndarjes nuk ka mbështetje as në klasën politike të Kosovës, duke nisur nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe deri te partitë më të vogla në opozitë. Nga dje, Cakaj do të përfaqësojë një qëndrim të kundërt me interesin e Kosovës dhe të kundërt me atë që ka qenë objektiv i Shqipërisë, pavarësinë e Kosovës dhe ruajtjen e integritetit të saj territorial. Pro kësaj ideje, në hapësirën shqiptare është vetë, Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, indirekt Edi Rama dhe së fundi dhe zv/ministri Cakaj. Është ndër rastet e rralla kur diplomacia dhe interesat kombëtare nuk do janë vendimmarrje e shumicës, por i janë lënë në dorë një pakice me ide të rrezikshme.

Deri dje qeveria kishte dhënë me PPP-të dhe koncesione shumë aktivite e prona shterore, porse të jepet edhe vetë qeveria, kjo nuk ishte dëgjuar.

Gazeta Koha e Jone.