25 Janar 2026

Pas protestës 3 orëshe të opozitës para Kryeministrisë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu, ku ka falënderuar qytetarët pjesëmarrës dhe ka akuzuar qeverinë për atë që ai e cilësoi si “regjim narko-mafioz”.

Meta u shpreh se protesta e sotme dha një mesazh të qartë force, demokracie dhe vendosmërie, duke theksuar se qytetarët janë shumicë përballë një pakice që, sipas tij, u ka grabitur të ardhmen shqiptarëve. “Sot u tronditën themelet e narkoshtetit të Ramaduros”, shkruan Meta.

Ai akuzoi gjithashtu strukturat e rendit për dhunë ndaj protestuesve paqësorë dhe gazetarëve, duke paralajmëruar se përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi.

Reagimi i Metës

Mirënjohje nga zemra mijëra qytetarëve të lirë, të ndershëm dhe patriotë, që tronditën sot nga themelet Narkoshtetin e Ramaduros duke rikthyer shpresën për Lirinë e shpejtë të Shqipërisë! Shqiptarët dhanë sot një mesazh të qartë force, demokracie dhe vendosmërie për të mbrojtur me çdo çmim lirinë, dinjitetin dhe Atdheun tonë. Protesta madhështore tregoi në shesh se populli është shumicë absolute përballë një pakice narko-mafioze, që i vjedh dhe ju ka grabitur të ardhmen e tyre! U bëj thirrje narko-policëve, shërbëtorë të përulur të kriminelëve, që të ndalin urgjentisht rrëmbimet mafioze dhe dhunën ndaj protestuesve paqësorë, dhunë që nuk ka kursyer edhe gazetarët e mediave shqiptare. Kjo Narkopolici shumë shpejt do të japë llogari deri më një dhe një për një për terrorin kriminal ndaj protestuesve. Përballje pa kthim! Ky regjim i kalbur ka mbaruar dhe i ka ditët e numëruara! FITORE!