“Merr kryesimin në shtetin përcaktues”, Zëri i Amerikës: Vijon numërimi i votave, ja kush i është afruar më shumë shpalljes së fitores në SHBA

6 NËNTOR 2020

Kandidati demokrat Joe Biden i është afruar më shumë shpalljes së fitores në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Në shtetin përcaktues të Pensilvanisë, ai tani merr kryesimin me 49.4% kundrejt 49.3% të Presidentit Donald Trump, ose 5,594 vota më shumë. Pensilvania ka 20 vota elektorale dhe e sjell zotin Biden më pranë shpalljes së fitores. Në Pensilvani janë numëruar 95% të votave.

Në orët e mëngjesit të së premtes, kandidati Biden doli gjithashtu në epërsi në shtetin e Xhorxhias i cili ka 16 vota elektorale. Gara është shumë e ngushtë dhe zoti Biden udhëheq me rreth një mijë vota në këtë shtet ku janë numëruar 99 për qind e votave.

Numërimi i votave vazhdon edhe në dy shtete të tjera: Arizona dhe Nevada, ku zoti Biden ka epërsinë.

Presidenti Trump publikoi disa komente në Twitter në orët e para të mëngjesit të premten, ku përsëriti disa nga ankesat që kishte bërë para një dite nga Shtëpia e Bardhë.

“Unë e FITOJ lehtësisht presidencën e Shteteve të Bashkuara me VOTAT E LIGJSHME TË HEDHURA,” tha ai në Twitter, pa ofruar ndonjë provë se janë hedhur vota të paligjshme.

Twitter i vuri një etiketë postimit si “ndoshta i pasaktë”, siç ka vepruar edhe me postime të tjera të shumta të Presidentit Trump që nga dita e zgjedhjeve.

Zoti Biden aktualisht kryeson në votën popullore si dhe në shifrat e Kolegjit Zgjedhor, 253-214. Për të fituar presidencën, një kandidati i duhet shumica prej 270 votash elektorale.

Në sistemin e Kolegjit Zgjedhor amerikan fituesi i votës popullore në secilin shtet – me dy përjashtime, Mejn dhe Nebraska – merr të gjitha votat elektorale të atij shteti, të cilat ndahen në bazë të popullsisë./VOA

Nga Gazeta Sot