Mbi 20 tornado dhe përmbytje masive godasin SHBA-në qendrore

19 Prill 2026
Më shumë se 20 tornado shkatërruese kanë goditur shtetet qendrore të SHBA-së nga mbrëmja e së premtes deri në mëngjesin e së shtunës, duke shkaktuar dëme të mëdha në disa zona që ishin prekur tashmë nga stuhi të forta.
Sipas raportimeve, moti i keq ka përfshirë një zonë të gjerë që nga Minesota, Wisconsin, Illinois, Missouri, Iowa dhe Indiana, deri në Oklahoma, duke lënë pas dëme të mëdha materiale në qindra mijëra shtëpi dhe ndërtesa.
Erërat me shpejtësi shumë të lartë, breshëri dhe reshje të dendura shiu kanë shkaktuar përmbytje të menjëhershme dhe daljen nga shtrati të lumenjve, duke përkeqësuar më tej situatën.
Raportohet për dëme të rënda në infrastrukturë, përfshirë rrugë të dëmtuara, një tren të dalë nga shinat dhe fabrika të shkatërruara. Në disa zona, si Rochester dhe Marion në Minesota apo Lena në Illinois, janë regjistruar edhe dy tornado radhazi.
Autoritetet bëjnë të ditur se deri tani nuk ka raportime për viktima, por vetëm dëme të mëdha materiale.
Stuhitë kanë rritur gjithashtu rrezikun për përmbytje të shpejta, veçanërisht në Chicago dhe Milwaukee, ku ditët e fundit janë kryer dhjetëra operacione shpëtimi.
Parashikimet për të shtunën tregojnë një rrezik më të ulët krahasuar me ditën e premte, por ende ekziston mundësia për breshër dhe tornado të izoluar.
