Marta Kos kundër Ramës: – Shfuqizoni ndryshimet e ligjit për zonat e mbrojtura dhe ligjin për investimet strategjike. – Protestat pjesë e proceseve demokratike

14 Korrik 2026
… Ajo kujtoi se me autoritetet shqiptare ishte rënë dakord që gjatë këtij viti të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura, si edhe ligji për investimet strategjike…
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka komentuar situatën në Shqipëri, duke u ndalur te protestat kundër qeverisë dhe te reformat që lidhen me procesin e integrimit europian
Kos theksoi se mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe se Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin me atë europian. Ajo kujtoi se me autoritetet shqiptare ishte rënë dakord që gjatë këtij viti të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura, si edhe ligji për investimet strategjike.
“Përpara se të nisnin këto protesta, kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura dhe të shfuqizohej ligji për investimet strategjike. Këto ndryshime do të duheshin bërë për të mbyllur negociatat për kapitullin 27, që ka të bëjë me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Inkurajoj autoritetet, siç dëgjuam që do ta bëjnë këtë gjë, që të veprojnë sa më shpejt të jetë e mundur. E dimë që kjo është një çështje shumë e rëndësishme në debatin publik shqiptar.
Protestat janë pjesë e proceseve më të gjera demokratike dhe mënyra se si vendet i trajtojnë këto protesta është pjesë thelbësore e proceseve demokratike. Kështu që qeveria shqiptare duhet të marrë hapa përpara dhe të trajtojë shqetësimet e qytetarëve.
Por, siç thashë, procesi i anëtarësimit është një proces në vazhdimësi. Kapitulli 27 është një kapitull kërkues, kështu që sigurisht jo vetëm për shkak të kësaj proteste, por mbi të gjitha që Shqipëria të harmonizojë legjislacionin për të cilin kemi rënë dakord kur çelëm grupkapitullin. Jemi të sigurt që asgjë nuk do të ndodhë në këtë fushë që nuk do të jetë e harmonizuar me legjislacionin evropian.”, deklaroi Marta Kos.
Komisionerja nënvizoi se trajtimi i protestave dhe adresimi i shqetësimeve të qytetarëve janë pjesë e funksionimit normal të një demokracie, ndërsa përsëriti se harmonizimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian mbetet një kusht i rëndësishëm për ecurinë e negociatave të anëtarësimit.
