11 Nentor 2022

Nga Gazeta Sot

Serbia vazhdon të shkaktojë tension pasi edhe më ndërhyrjen ndërkombëtare për të shuar konfliktet me Kosovën, presidenti serb Aleksandër Vuçiç vazhdon të tregohet dredharak. Plani franko-gjerman që i është propozuar Prishtinës dhe Beogradit, po shkakton tronditje të madhe për serbët. Këtë gjë e tregoi ditën e djeshme takimi i presidentit Emanuel Macron dhe presidentit Vuçiç. Ky i fundit në një konferencë për media ka bërë të ditur se me shumë gjasa nuk do të ketë një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Mediat serbe e kanë përshkruar takimin e tyre të shoqëruar me shumë tension. Vuçiç gjatë konferencës për media ka qenë i nervozuar, gjë që tregon se detajet e bisedës nuk ishin tërësisht pozitive. Presidenti serb ka bërë të ditur se me homologun e tij francez ka diskutuar për situatën e krijuar së fundmi në Kosovë. “Nuk mund të jap detaje nga takimi”, ka deklaruar ai duke shtuar se me Macron kanë diskutuar edhe çështjen e targave.

Serbinë e presin ditë të vështira

Pas këtij takimi të rëndësishëm, presidenti serb ka paralajmëruar ditë të vështira për Beogradin. Takimi i djeshëm me Macron, sipas Vuçiçit ishte një nga më të rëndësishmet që ai ka pasur me të deri më sot. “Më duket se më respekton që nuk e gënjej dhe se them të vërtetën dhe bëj atë që them. Besoj se mund të nënshkruajmë gjëra të mëdha në Beograd kur të vijë ai, do të ketë shumë detaje për të cilat do të flasim. Sot nuk është momenti për të gjitha”. Vuçiç më tej gjatë konferencës ka bërë të ditur se tashmë Beogradi zyrtar ka dërguar përgjigje për propozimin franko-gjerman.

Takimi i Kurtit me Macron

Kosova, ndryshe nga Serbia, ku presidenti francez mesa duket i paska futur “këmbët e Vuçiçit me një këpucë”, ka zhvilluar një takim shumë pozitiv. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë detaje nga takimi që zhvilloi me homologun francez ku ka qenë së bashku me kryeministrin Albin Kurti. Osmani u shpreh se ata kanë diskutuar për dinamizimin e dialogut me Serbinë dhe zhvillimet e fundit ku theksoi se së bashku me Kurtin kanë shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut. Osmani ka shtuar se në takim me Macronin janë diskutuar edhe veprimet destabilizuse të Serbisë dhe theksoi se presidenti Macron ka dhënë përkrahjen e tij për paqë, siguri dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Gjithashtu, dy liderët kosovarë presidentit Macron i kanë kërkuar mbështetje për integrimin euroatlantik të Kosovës. “Në takim, ritheksuam rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, si dhe kërkuam vazhdimin e mbështetjes së Francës për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare”, përfundoi Osmani.

Dy propozime në tavolinë

“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne”, tha Kurti. Detaje të planit franko-gjerman kryeministri i Kosovës nuk ka bërë. Por presidenti i Serbisë Vuçiç, ka thënë se “Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara, në këmbim të integrimit më të shpejtë të saj në BE”. Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, para disa ditësh tha se ai i ka marrë përgjigjet nga Kosova dhe Serbia për planin franko-gjerman dhe se ato janë duke u shqyrtuar. Por nuk dha më shumë hollësi rreth kësaj nisme. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të shmangin veprimet që mund të çojnë në përplasje, ndërsa shprehën zhgënjimin që qeveria e Kosovës nuk përfilli kërkesën për një shtyrje dhjetë muajshe të afatit për konvertimin e targave të makinave.

NGA Elmas BOGDANI