Liria e medias.

– Rama sulmon raportin e “Reporterëve pa Kufij”: – Gënjeshtër, fantazi dhe tallje!

– 03.05.22

Kryeministri Rama i është përgjigjur raportit të Reporterë pa Kufij që e uli Shqipërinë me 20 vende në krahasim me vitin e kaluar për lirinë e medias. Konstatimet e raportit Rama i ka cilësuar “gënjeshtra”, “tallje” dhe “fantazi” duke thënë se në Shqipëri nuk ka gjyqe ndaj gazetarëve dhe as dhunë policore ndaj tyre. Përkundrazi, kryeministri thotë se në vendin tonë ka “viktima të shpifjes” nga ata që çdo ditë, nuk dinë çfarë të bëjnë me lirinë e tyre.

“E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër mediave, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin, në emër të saj!

Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri? Çfarë gënjeshtre! Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike? Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare? Çfarë talljeje! Vetëm titulli mungon: Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s’dimë ç’të bëjmë me lirinë!

Në Shqipëri s’ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve, gënjeshtrave e lajmeve të rreme! Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s’ka! Flitet për ligjin antishpifje kur në fakt s’ekziston!” shkruan Rama në reagimin e tij.

Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit e radhiti Shqipërinë në mesin e vendeve problematike.

Në treguesin që përfshinë 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin 103-të duke shënuar një rënie prej 20 vendesh krahasuan me vitin paraprak kur renditej ne vendin e 83-të.

“Gazetarët përballen me presione politike, të cilat u përkeqësuan gjatë vitit 2021 nga përpjekjet për të kontrolluar informacionin gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe pandemisë së Covid-19,” vëren organizata në raportin e saj për Shqipërinë, duke argumentuar notën negative për Shqipërinë.

“Klasa politike kërcënon pavarësinë e redaksive përmes institucioneve të rregullimit të medias të cilat janë shumë të politizuara si dhe përmes menaxhimit të medias publike” shkruan më tej organizata.

“Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballem me sulme të rregullta politike që synojnë t’i diskretitojnë ata, ndërsa kanë telashe në aksesimin e informacionit publik, gjë që është rrezikuar nga kufizime të mëtejshme nga centralizimi i komunikimit të qeverisë të ndërmarrë kohët e fundit,” shtohet më tej në raport.

“Një pjesë e madhe e tregut të medias në Shqipëri është përqendruar shumë në duart e katër apo pesë kompanive,” veren raporti. “Financimet publike përbëjnë një burim të madh të të ardhurave por shpërndahen në mënyrë opake, gjë që ngre dyshime për trafik ndikimesh,” vëren më tej raporti.

Data 2 maj është caktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si dita ndërkombëtare e lirisë së medias.

Gazeta Shqiptare