17 Tetor 2023

Pedagogia e njohur Jonila Godole, ka komentuar mbajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, dhe konferencën e përbashkët para mediat, në shkallët e Piramidës, e sapo inaguruar.

Në një reagim në rrjetet sociale, ajo u shpreh se liderët botërorë, në mënyrë tinëzare nga elitat e vjetra të ish-Bllokut, u mblodhën pikërisht në datën përkujtimore të lindjes dhe në mauzoleumin e diktatorit Enver Hoxha.

Ajo shprehet se ky Samit ishte ‘zhurmë propagandistike’ dhe se Shqipëria vazhdon të mbetet larg standardeve të BE, “si një shtet i korruptuar dhe i kapur nga krimi, pa strategji për ta çliruar atë nga këto plagë të rënda”.

Zhurmë, zhurmë, shumë shumë zhurmë!… dhe në fund asgjë. Shqipëria vazhdon të mbetet tejet larg standarteve të BE, si një shtet i korruptuar dhe i kapur nga krimi, pa strategji për ta çliruar atë nga këto plagë të rënda.

Por e vetmja gjë që mbeti nga kjo „zhurmë“ propagandistike 2-ditore është se të gjithë këta krerë shtetesh europiane u mblodhën tinëzisht nga elitat e vjetra të ish-Bllokut mu në datën përkujtimore të lindjes dhe në mauzoleumin e diktatorit Hoxha. Bllokmenët e dikurshëm thjesht kanë ndryshuar flamurin e servilosjes për të çimentuar vazhdimësinë e elitave komuniste në pushtet që i kanë marrë frymën Shqipërisë për 45 vite diktaturë dhe 30 vite kapitalizëm. Dikur ato i serviloseshin Bashkimit Sovjetik, kurse tani ish-armiqve të tyre të përbetuar, Perëndimit, me të njëjtin qëllim si gjithnjë, për të qëndruar në pushtet, përjetësisht!

You can never escape the ghosts of the past! (Asnjëherë nuk mund të arratisesh nga fantazmat e së shkuarës).