‘Ky do jetë dimri më i vështirë’/ Mjeku Arben Gjata paralajmëron qytetarët: Ja skenarët që do ndjekim

14 NËNTOR 2020

Rektori Universitetit të Mjekësisë, mjeku Arben Gjata, ka paralajmëruar se ky do jetë dimri më i vështirë që do të përballen shqiptarët.

Gjata tha në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, se situata është e rëndë, ndërsa rritet vazhdimisht numri i viktimave dhe të prekurve me COVID.

“Jemi në një situatë jo të mirë, me rritje të numrave. Ishte nëj gjë e pritshme. Unë e kam thënë që kemi përballë tre muajt më të vështirë të kësaj pandemie. Besoj fundi i vjeshtës së tretë dhe dimri do të jenë sfida më e madhe që ka kaluar ndonjëherë shëndetësia shqiptare dhe që do të kalojë shoqëria shqiptare. Ditët më të vështira i kemi ende përpara. Është një situatë që kërkon solidaritet të madh. Me ftohjen e kohës dihet që virozat rriten, edhe Covid duke qenë virozë do të rrisë shpejtësinë e përhapjes. Kemi edhe virozat e tjera, që mund të mbivendosen me virusin, duke sjellë një situatë shumë të rëndë”, tha mjeku.

Mjeku foli edhe për skenarët që priten në vijim, ku theksoi se mund të shfrytëzohen  edhe spitalet rajonale.

“Janë përgatitur disa skenarë, që në qershor. Janë përgatitur skenarë deri në qershor të vitit të ardhshëm, që parashikojnë hapjen e këtyre spitaleve të reja, siç u hap Covid-3, vënien në funksion të covid-4, dhe nëse ezaurohen kapacitetet në Tiranë hapja edhe e spitaleve rajonale. Ne kemi një avantazh, se në spitalet rajonale kemi një shtrirje horizontale, gjë që mundëson që godina të caktuara brenda territorit të spitaleve rajonale të kthehen në spitale Covid. Mesa di unë një pjesë e spitaleve rajonale ka godina ku çdo dhomë është pajisur me oksigjen, si dhe respiratorë, për të pasur mundësi që edhe këto spitale të fillojnë drejtimin”.

Gazeta Shqip