Kush është gjyqtarja Enkelejda Hoxha, që njihet për lirimet e të burgosurve VIP?

11 SHKURT 2021

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë më herët  ka bërë kërkesë për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, pasi emri i saj lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit, apo Hekuran Billa, i vrarë pak muaj më parë në Tiranë.

Lirimi i Dokles u bë publik nga Top Channel. Gjyqtarja e Krujës, e cila ende pa dal në vetting, Enkelejda Hoxha, liroi nga burgu Indrit Doklen, i dënuar me burgim të përjetshëm, si anëtar i bandës së Durrësit, i akuzuar për disa vrasje, plagosje dhe krime të tjera. Në të njëjtën mënyrë që gjyqtarja Hoxha, përdori për lirimin e Dokles.

Në nëntor të 2017-ës, ajo liroi Genc Tafilin, i përfshirë në vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit. Tafili kishte kryer 17 vite burg, nga 25 që ishte dënuar. Një tjetër lirim që mban firmën e gjyqtares Hoxha, është edhe ai i Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim. Paja njihet për disa nga arratisjet e tij në burgjet e Italisë dhe Gjermanisë. Paja u lirua disa ditë pas Tafilit.

Enkeleda Hoxha,në vitin 2018, po ashtu vendosi lirimin nga burgu të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja. Ai u dënua me 1 vit burg, për dhunë të ushtruar ndaj Xhisiela Malokut, por gjyqtarja vendosi konvertimin e dënimit në shërbim prove.

Së fundmi sipas hetimeve të SPAK, Hoxha do të lironte nga burgu Saimir Petanin, i arrestuar për vrasje, i ekstraduar nga Itali për ekzekutimin e Romeo Beqirit, disa vite më parë. Mes të arrestuarve është edhe vëllai i Petanit, Bledar Petani.  Dyshohet se kishte marrë 12 mijë euro për lirimin e tij. Nga përgjimet në kuadër të këtij operacioni në Gjykatën e Krujës, është zbuluar edhe një rast korrupsioni në Shëndetësi. Mësohet se sekretarja e Gjykatës Manuela Mallkuçi, i ka dhënë para kirurgur Edvin Prifti, me qëllim që ky i fundit të bënte operacion mamanë e saj. Në këtë skemë të kundraligjshme janë përfshirë dhe Trendafile Frangu dhe Migena Skenderi, infermiere të QSUT-së.

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë kërkoi në dhjetor të vitit Këshillit të Lartë Gjyqësor shkarkimin e gjyqtares Enkeleda Hoxha.

ILD ka njoftuar publikisht kur media raportoi vrasjen më 11 qershor 2020 të Hekuran Billës, detaje mbi gjendjen gjyqësore e lirimin e tij si dhe të disa shtetasve të tjerë, Ilir Paja dhe Indrit Dokle. Vendimet këto që janë marrë nga gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani nisi verifikimin e më pas hetimin disiplinor për këtë magjistrate.

“Veprimet dhe sjelljet e magjistrates përbëjnë shkelje disiplinore që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin. 6 vendime të dhëna prej gjyqtares në harkun kohor nga maj 2017- shkurt 2019, përbëjnë akte që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit”, thuhet në shkresë.

Sipas hetimit, shkeljet disiplinore janë konstatuar me dashje direkte e me pasojë lirimin e një të dënuari që përbën rrezik për komunitetin, nxiti akte me natyrë hakmarrje, që rezultoi me ekzekutimin e shtetasit Hekuran Billa.

Gazeta Shqip