“Kujdes me kodin e…”/ Zbehet ‘portofoli’, shtohen mashtrimet online, ja çfarë këshillojnë ekspertët

2 Maji 2026
Gjithnjë e më shumë edhe në Shqipëri, po rritet përdorimi i kartave bankare dhe pagesave online. Brenda një dekade pagesat online përmes pajisjeve elektronike janë rritur me më shumë se 8 herë, nga 1.4 milionë pagesa në 2015 në më shumë se 11.5 milionë pagesa me home-banking në 2025-ën.
Përfitimet nga përdorimi i pagesave online thotë eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli janë të shumta, por kryesore është shkurtimi i kohës.
“E para jemi më të sigurt ndaj vjedhjeve sepse po të mbajmë shuma parash mundet ose të na humbin ose të na vidhen. E dyta ne kursejmë kohë sepse të bësh një transfert apo një pagesë e bën brenda sekondit”, shprehet eksperti.
Nga pagesa e faturave, blerjet online, transferta dhe të tjera tashmë bëhen lehtësisht edhe online.
“Ndërkohë që në qoftë se dëshiron me të njëjtën sasi parash kësh, të shkosh në bankë apo të shkosh të bësh një pagesë në mënyrë fizike, harxhon jashtëzakonisht kohë dhe ne kemi filluar më në fund ta kuptojmë që koha është flori, koha është shumë më tepër sesa vetë paratë”, thotë Çoçoli.
Por paralelisht me zhvillimin teknologjik dhe shtimin e pagesave elektronike, janë shtuar edhe mashtrimet online.
“Pagesat online të ndihmojnë nga vjedhjet fizike por ama vjedhjet online i ke autostradë dhe duhet të mbrohesh. Duhet të ruash si gjënë më të shenjtë, pasuordin e kartës bankare, pra atë fjalëkalimin nuk duhet ta japësh në asnjë lloj rasti”, thotë Çoçoli.
Në 5 vite janë identifikuar mbi 3,126 raste mashtrimi, ndërsa situata është edhe më problematike, tek krimet kompjuterike, të cilat po vijnë cdo vit e më në rritje. Mësohet se vetëm në vitin e kaluar ishin mbi 1 mijë raste të tilla, dhe mbi 3700 në 5 vite.
Agjesia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike thotë se vetëm gjatë vitit të kaluar janë menaxhuar nga ata 51 raste të sulmeve kibernetike, nga të ciliat 4 ishin me fokus sektorin bankar apo llogaritë bankare të qytetarëve dhe bizneseve. Ndërsa në vitin 2024, ishin 32 sulme kibernetike, nga të cilat 7 prej tyre janë të Sektorit Bankar, një ndër sektorët më të prekur.



