10 Maji 2025

Ezoterike dhe novatore, pikturat e një përfaqësueseje më pak të njohur të para-rafaelitëve, Evelyn De Morgan, eksploruan traumën dhe kuptimin e luftës, dhe parashikuan artin fantastik të kohës sonë.

Në një plazh shkëmbor të skuqur nga llava, dragonj që nxjerrin tym rrethojnë të burgosur të dëshpëruar që i luten një engjëlli t’i shpëtojë nga vuajtja. Piktura me vaj Vdekja e Dragoit nga Evelyn De Morgan duket fillimisht si një skenë nga Libri Apokaliptik i Zbulesës në Testamentin e Ri. Por, e pikturuar mes viteve 1914 dhe 1918, ajo është gjithashtu diçka më personale dhe kritike: një alegori për mjerimin dhe robërinë e Luftës së Parë Botërore dhe përballjen mes së mirës dhe së keqes.

Piktura madhështore, që arrin më shumë se një metër në lartësi, është një nga pikat kulmore të një ekspozite të re, Evelyn De Morgan: Piktorja moderne në Londrën Viktoriane, në Galerinë e Arteve të Guildhall në Londër, e cila strehon koleksionin e artit të Korporatës së Qytetit të Londrës. Të ekspozuara janë vepra rrallë të shfaqura nga Fondacioni De Morgan, si dhe dy piktura të restauruara së fundmi dhe dy riprodhime të realizuara vetëm vitin e kaluar, të veprave që humbën në një zjarr magazinash arti në vitin 1991.

Ekspozita përkon me rihapjen e Muzeut De Morgan në Barnsley, Yorkshire, pas një rinovimi të gjerë të çatisë, dhe i përgjigjet një interesi në rritje për këtë artiste më pak të njohur. Ajo është anashkaluar shpesh nga hijet e bashkëshortit të saj, William, një punues qeramike dhe shkrimtar, që kishte punuar në fillim të karrierës me dizenjuesin e tekstileve William Morris, dhe nga burrat e famshëm në rrethin e tyre: xhaxhai dhe mësuesi i saj i artit, John Roddam Spencer Stanhope, për shembull, si dhe piktorët William Holman Hunt dhe Dante Gabriel Rossetti. Shumë nga ajo që dimë për De Morganin sot vjen nga motra e saj, Wilhelmina, e cila krijoi Fondacionin De Morgan, por edhe ajo botoi biografinë pas vdekjes së çiftit me titullin William De Morgan dhe Gruaja e Tij.

Megjithatë, Evelyn De Morgan e meriton më shumë se kurrë vlerësimin e vonuar të botës së artit. Diplomante e Slade School of Fine Art, që punonte në fundin e lëvizjes para-rafaelite, ajo e çoi këtë zhanër, që ndonjëherë është konsideruar i ëmbëlsuar apo tepër sentimental, në territore të reja, duke krijuar tablo të jashtëzakonshme në vizion dhe energji. Gratë që ajo portretizonte ishin më pak pasive sesa ato të bashkëkohësve të saj dhe shfaqeshin si simbole fuqie dhe ndikimi, jo si objekte të vështrimit mashkullor. Në vend të një trupi të mbytur që lundron në lumë, si tek Ofelia e Sir John Everett Millais, ose figurave që shquheshin vetëm për pamjen e tyre, takojmë një magjistare të aftë që përgatit eliksire magjike dhe heroinash fluturuese që mund të thërrasin shi, bubullima dhe vetëtima me gishtat e tyre.

Këto figura hyjnore pasqyrojnë ndikimin e artit klasik që De Morgani kishte studiuar. Vepra të realizuara në mënyrë të përsosur si Boreasi dhe Oreitia (1896) tregojnë interesin e saj për mitologjinë dhe mjeshtërinë në përshkrimin e trupit njerëzor, të kujton mjeshtërinë e Mikelanxhelos.

Te Vdekja e Dragoit, për nga kompozicioni, është e lehtë të shohësh ndikimin e Lindjes së Venusit nga Sandro Botticelli (1483–1485), që De Morgan e kishte vizituar në Firence. Nëse engjëlli me aureolë i De Morgan-it pasqyron idenë e rilindjes, që reflekton besimin e artistes në jetën shpirtërore pas vdekjes, atëherë krijesat me krahë janë e kundërta, Vdekja, që gjithmonë i ndjek njerëzit dhe i kërcënon me shkatërrim. Diku tjetër në punën e saj, Vdekja merr forma të tjera: një engjëll i errët me drapër, përbindësha detarë ose, më tërthorazi, një orë me rërë. Është një simbolizëm që flet për kalueshmërinë e jetës dhe merr një ndjeshmëri shtesë në veprat e saj të mëvonshme, duke përcjellë traumën kolektive të përjetimit të një Lufte Botërore që mori afër një milion jetë britanike.

“Gjatë Luftës së Parë Botërore ata [çifti De Morgan] ishin në Londër, kështu që do të ishin ndikuar drejtpërdrejt,” thotë për BBC Jean McMeakin, Kryetare e Bordit të Besuarve të Fondacionit De Morgan. “Vdekja ishte e vërtetë për ta në një mënyrë që ndoshta sot e kemi harruar,” thekson ajo. “Anëtarë të familjes së William-it vdiqën nga tuberkulozi, dhe shëndeti i tij shpesh ishte i dobët. Vdekja ishte, në njëfarë mënyre, gjithmonë e pranishme në sfond.”

De Morgan ishte pacifiste dhe arti i saj u bë një formë aktivizmi. Te Zonja Jonë e Paqes (Our Lady of Peace, 1907), një përgjigje ndaj Luftërave Bure, një kalorës lutet për mbrojtje dhe paqe, ndërsa te Njeriu i Varfër që Shpëtoi Qytetin (The Poor Man who Saved the City, 1901), urtësia dhe diplomacia përkrahen si alternativa ndaj ndërhyrjes ushtarake. Më vonë, te Kryqi i Kuq (The Red Cross, 1914–16), engjëj mbajnë Krishtin e kryqëzuar mbi një peizazh të tharë të përshkuar nga varret belge të luftës, një sugjerim, ndoshta, se besimi i krishterë është në kundërshtim me brutalitetin e luftës, por ofron shpresë për shpëtim. “Kurrë nuk duhet të lavdërosh luftën,” deklaroi De Morgan te Rezultati i një Eksperimenti (The Result of an Experiment, 1909), një libër me “shkrim automatik” bashkautor me bashkëshortin e saj. “E ka shpiku djalli, dhe nuk mund ta imagjinoni tmerrin e saj.”

E mira dhe e keqja

Ideja e forcave të së mirës dhe së keqes që veprojnë mbi njerëzit e zakonshëm ishte e përhapur në atë kohë. “Spiritualizmi ishte mjaft popullor,” thotë McMeakin, duke përmendur autorin Sir Arthur Conan Doyle, krijuesin e Sherlock Holmes-it, si një nga përkrahësit më të njohur të tij. Besimet përtej kësaj bote, sipas saj, ishin “ndoshta rezultat i trazirave, ndryshimeve masive që po ndodhnin në shoqëri në prag të shekullit të ri, si dhe një periudhe me shumë luftëra, të cilat patjetër ndikuan në mënyrën se si ata e shihnin botën”. Pa dyshim, De Morgan u ndikua edhe nga vjehrra e saj, Sophia, një spiritualiste dhe mediume e njohur. Me kaq shumë jetë të humbura, ishte padyshim joshëse të besoje se mund të lidhesh sërish me të ndjerët.

Për De Morganin, materializmi ishte në kundërshtim me spiritualitetin, dhe shumë prej veprave të saj i përziejnë ndjekjen e pasurisë me vdekjen. Kurorat, të vendosura mbi gjarpërinjtë me krahë te Vdekja e Dragoit, janë një motiv i përsëritur që simbolizon lakminë dhe koprracinë. Tek Drejt Tokës (Earthbound, 1897), një mbret i pangopur me mantel ari të zbukuruar me monedha është gati të përmbytet nga engjëlli i vdekjes, ndërsa te Porta e Bllokuar (The Barred Gate, rreth 1910–1914), një figurë e ngjashme ndalohet të hyjë në Parajsë.

Me të ardhmen aq të pasigurt, De Morgan vendos rëndësinë e përmbushjes shpirtërore dhe lumturisë në qendër të shumicës së veprave të saj. Te Verbëria dhe Lakmia Dëbojnë Gëzimin nga Qyteti (Blindness and Cupidity Chasing Joy from the City, 1897), për shembull, “Lakmia” është personifikuar si një figurë me kurorë që mban thesare dhe po dëbon “Gëzimin” në formën e një engjëlli. Këtu, si te Vdekja e Dragoit, personazhet qendrore janë të lidhur me zinxhirë, që sugjeron shpirtra të burgosur.

Tek I Burgosuri (The Prisoner, 1907–1908), dritarja me shufra hekuri dhe kyçet e gruas të lidhura me zinxhirë e bëjnë robërinë një metaforë për pabarazinë gjinore, duke aluduar për mbështetjen e çiftit De Morgan për të drejtën e votës për të gjithë. (Evelyn ishte nënshkruese e të paktën dy peticioneve të rëndësishme, ndërsa bashkëshorti i saj ishte nënkryetar i Lidhjes së Burrave për të Drejtat e Grave për të Votuar). Tema përsëritet te Luna (1885), ku trupi i lidhur me litar i një perëndeshe hënore, një figurë mitologjike e fuqisë femërore, funksionon si metaforë për përpjekjen e gruas për të ndikuar në fatin e saj.

E pagëzuar si “Mary”, Evelyn më vonë zgjodhi të përdorte emrin e saj të mesëm, atëherë i padallueshëm për nga gjinia, pasi arti i grave nuk merrej seriozisht. “Ajo donte të vlerësohej në të njëjtin nivel me kolegët e saj meshkuj,” thotë McMeakin. “Mund të supozojmë një shkallë të madhe vetëbesimi dhe vendosmërie në dëshirën e saj për t’u bërë artiste profesioniste,” shton ajo, duke theksuar se edhe vetë nëna e De Morganit kundërshtonte zgjedhjen e saj për karrierë.

Nga ana teknike, De Morgan ishte gjithashtu një pioniere. Ajo eksperimentoi me përdorimin e pigmentit të arit në punimet e saj për t’u dhënë thellësi dhe interes, dhe eksploroi teknika të reja pikturimi të shpikura nga bashkëshorti i saj, duke përzier ngjyrat me glicerinë dhe alkool. Nga ana stilistike, ishte përpara kohës së saj. Përdorimi jokonvencional i ngjyrave rozë dhe vjollcë, si dhe rrathët e guximshëm të dritës shumëngjyrëshe, parashikojnë stilet psikedelike të viteve 1970, ndërsa përbindëshat e saj të tmerrshëm nuk do të dukeshin jashtë vendit në artin fantastik bashkëkohor.

Ndërsa historia e artit është prirë t’i paraqesë gratë si nëna të virgjëra, objekte bukurie apo joshëse, këndvështrimi specifikisht femëror i De Morganit i rikthen ato si figura shprese që paralajmërojnë një të ardhme ndryshe, më të ndritur. Te Lux in Tenebris (1895), për shembull, figura femërore mban një degë ulliri në dorën e djathtë, duke ofruar një rrugë drejt paqes. Te Vdekja e Dragoit, engjëlli është i rrethuar nga një ylber madhështor: një simbol (së bashku me qiellin) i gëzimit që nënkupton përmbushje shpirtërore dhe liri, si dhe premtimin për jetën pas vdekjes.

Është gabim të mendosh për vepra si Vdekja e Dragoit si “krejtësisht të errëta”, argumenton McMeakin, duke theksuar se “shpesh, në skenat e saj apokaliptike, ka një dritë shprese ose një pjesë të qetë në pikturë.” Në shumë mënyra, Vdekja e Dragoit është optimiste, duke shprehur ndjenjën se lufta, dragoi metaforik, po i afrohet fundit dhe se e mira mund ta mposhtë të keqen. Në këtë betejë ekzistenciale, De Morgan pa një vend për artin e saj. Kur ishte vetëm 17 vjeç, e qortoi veten që nuk kishte pikturuar mjaft. “Arti është i përjetshëm, por jeta është e shkurtër,” shkroi në ditarin e saj. “Do ta kompensoj tani, nuk kam asnjë çast për të humbur.” / BBC – Syri.net