Krizë politike në Malin e Zi, – Parlamenti e shpall masakrën e Srebrenicës GJENOCID dhe shkarkon ministrin filoserb të Drejtësisë

20 qershor 2021

Parlamenti i Malit të Zi miratoi të enjten me një shumicë prej dy të tretash rezolutën që njeh dhe dënon gjenocidin në Srebrenicë në vitin 1995, në të cilën u vranë më shumë se 8.000 boshnjakë. Përmes kësaj rezolute, e cila edhe ndalon mohimin publik të ekzistencës ose relativizimin e këtij gjenocidi, 11 korriku shpallet gjithashtu dita e përkujtimit të viktimave të Srebrenicës.

Për miratimin e rezolutës, të cilën e kërkoi opozita, votuan 55 deputetë, 40 nga opozita por edhe 15 nga maxhoranca, kundër ishin 19 nga Fronti Demokratik në pushtet, 7 abstenuan. Pro ishin edhe URA dhe demokratët nga maxhoranca, pas miratimit të korigjimit të tyre, se faji për krimet në luftërat e viteve 1990 nuk mund t’i atribuohet asnjë kombi, por është individual.

“Besoj se kemi dërguar një sinjal të qartë se Mali i Zi është qendra e demokracisë në rajon”, tha udhëheqësi i partisë Boshnjake Ervin Ibrahimoviç, ndërsa kreu i komunitetit islamik të Malit të Zi Rifat Fejziç tha se mbështetja e dy të tretave për rezolutën e genocidit të Srebrenicës forcon besimin në një të ardhme më e ndritur dhe se një Mal i Zi i tillë ecën në rrugë të sigurt drejt Bashkimit Evropian.

Miratimin e rezolutës e mundësoi Partia opozitare Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cila me këtë rast u kthye në parlamentin që e bojkoton. Deputeti i kësaj partie, Andrija Nikoliç, tha se me hapin e tyre “i ruajtën fytyrën Malit të Zi përpara botës demokratike”. Kundër rezolutës ishin deputetët e Frontit Demokratik në pushtet, të cilët nuk pranojnë që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Ata kërkuan që rezoluta të dënojë të gjitha krimet në Bosnjë-Hercegovinë dhe ish-Jugosllavi, si dhe që termi gjenocid të fshihet, sepse ata pretendojnë se me të bëhet dallim midis viktimave, por edhe se i vihet faji në mënyrë të padrejtë për krime vetëm popullit serb. Propozimet e tyre për ndryshime u refuzuan.

Shkarkohet ministri për shkak të Srebrenicës

Po në të njëjtën seancë parlamenti me votat e opozitës dhe të 4 deputetëve të koalicionit në pushtet URA “E zeza në të bardhë” e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviç, shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vladimir Leposaviç. Atë e “rrëzoi” pikërisht Srebrenica, deklarata e tij rreth tre muaj më parë, kur i pyetur në parlament nga deputeti i DPS Andrija Nikoliç, tha se nuk e pranonte, që në Srebrenicë të kishte ndodhur genocid.

Shkarkimi u kërkua nga kryeministri Zdravko Krivokapiç, ndërsa Fronti Demokratik doli në mbrojtje të Leposaviçit. Për shkak të shkarkimit të Leposaviçit kulminoi kriza disamujore e pushtetit dhe qeverisë, sepse Fronti Demokratik bëri të ditur se do të bojkotojë parlamentin dhe të kërkojë një marrëveshje të re lidhur me qeverisjen me Krivokapiçin, demokratët dhe URA-n.

Meqë DPS e bojkoton parlamentin, ai tani është bllokuar, sepse nuk do të ketë kuorum për marrjen e vendimeve.

“Ndodhi mashtrimi i madh i votuesve dhe u formua një koalicion joparimor i DPS dhe pjesëve të qeverisë së Malit të Zi. Tani ne po e kthejmë situatën në zero dhe po kërkojmë një marrëveshje të re. Ne ju përshëndesim dhe qofshi të lumtur me DPS”, u tha kolegëve të partive në pushtet deputeti i Frontit Demokratik (DF) Slaven Radunoviç.

Udhëheqësit e DF Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç shkuan edhe një hap më tej. Mandiç tha se kërkojnë një qeveri të re pa Krivokapiçin ose zgjedhje të jashtëzakonshme dhe e quajti rezolutën për Srebrenicën “të turpshme dhe tradhtare”, ndërsa Knezheviç i kërkoi falje Serbisë dhe popullit serb sepse, siç tha ai, “asnjë nga qytetarët, që votuan për ndryshimet në Malin e Zi dhe kundër Milo Gjukanoviçit, nuk mund ta kishin menduar se një pjesë e shumicës parlamentare do ta shpallte Serbinë dhe popullin serb genocidal”.

Marrë nga DW

Nga Gazeta Dita