Kolegët që spiunuan Maks Velon. –

Dosja sekrete e përndjekjes, hetimit dhe dënimit të Maks Velos ka ardhur në një libër me titullin “Maks Velo. Jetë paralele” përgatitur nga Alda Bardhyli dhe nën logon e ‘UET PRESS’. Libri pati promovimin të premten në orën 13:00 në UET. Në kuadër të debateve mbi të shkuarën, është hera e parë që publikohet dosja e përndjekjes së një artisti gjatë regjimit komunist. Janë 106 dokumente, një pjesë e të cilave shoqërohen me rrëfime të vetë Velos mbi ngjarjet e raportuara. “Dosja ‘Velo’ pritet të hapë debatin e munguar mbi rolin që artet dhe kultura ka pasur gjatë regjimit komunist”, tha dje Bardhyli. Ajo njoftoi se në këto dosje ka emra artistësh të njohur të artit që kanë spiunuar e kanë qenë pjesë e aparatit të Sigurimit të Shtetit. “Unë mendoja se kisha shokë e artistë. Ata ishin përbindësha. Unë shkova të ngushëlloja Safon se i kishin arrestuar djalin, ajo ia tha të gjitha sigurimit. Të njëjtët artistë janë edhe sot”, tha Velo gjatë promovimit ku mori pjesë edhe Genta Mara Sula nga Autoriteti i Dosjeve. “GSH” po boton pjesë nga libri dosjen e Velos dhe me një parathënie e bisedë me Alda Bardhylin.

DOKUMENTI 6 “SEKRET”
Shënim operativ Sot më datë 04.03.1975 pata një bisedë me piktorin stazhier të Institutit të Arteve, Genc Hajdari. Biseda u zhvillua rreth piktorit Maks Velo, për të cilin Genci na ka denoncuar disa gjëra në vitin 1973. Duke folur për këtë çështje Genci tha: “Maksin e kam pasur pedagog këto kohë. Më kujtohet që në leksionet që na jepte Maksi në atë kohë, ai na citonte me zell e pasion të madh citate të filozofëve reaksionarë si: Dideron, Pikaso etj. Për të na dhënë citatet e këtyre filozofëve, Maksi ishte gati të humbiste gjithë kohën e leksionit. Për sa i përket krijimtarisë së tij si piktor, Maksi ka qenë një formalist i theksuar. Ai lexonte mirë frëngjisht e anglisht dhe meqenëse dinte këto gjuhë lexonte shumë literaturë të huaj, të cilën e merrte në Bibliotekën Shkencore të UT-së. Maksi në këtë kohë kishte shoqëri me piktorin Fatmir Mati etj. Këta të gjithë shkëmbenin me njëri-tjetrin materialet në gjuhë të huaj që lexonin dhe që i merrnin nga drejtori i Bibliotekës Shkencore të UT-së. Shoqëri shumë kohë përpara Maksi ka pasur dhe me skulptorin Hektor Dule. Në kohën që Hektori u kthye nga Çekosllovakia, hynte e dilte në shtëpinë e Maks Velos, por pastaj u prishën me njëri-tjetrin dhe që nga ajo kohë e deri më sot nuk shkojnë me njëri-tjetrin. Shkakun e prishjes së tyre, unë nuk e di. Maksi ka qenë një njeri i dhënë pas femrave. Më kujtohet se njëherë Maksi i ka propozuar një shoqes sonë studente që kjo t’i shkonte në shtëpi dhe t’i vizitonte studion e tij. Këtë vajzë Maksi e simpatizonte. Kam marrë vesh që Maksi ka një ose dy vite që është martuar me një femër që ka një baba të mirë, profesor, por që janë femra të degjeneruara si e ëma e saj (e cila është franceze me origjinë) ashtu edhe vetë kjo. E shoqja e Maksit ka qenë e fejuar me një tjetër, por e ndau atë dhe mori Maks Velon”. Biseda me Gencin u zhvillua nga unë dhe shefi, shoku Ilo Noti.
Punëtori operativ/ Ropi Postoli/

DOKUMENTI 9 “SEKRET” /
Tiranë, më 23.01.1975
IMPLIKIM NXJERRË NGA PROCESI I TË ARRESTUARIT EDISON GJERGO, DATË 21.01.1975,
… Për pikturën ‘Epika e yjeve të mëngjesit’ që më kritikoi me të drejtë Plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve, më lavdëruan edhe shokët e mi. Maks Velo më tha se jam një njeri me talent dhe se në këtë pikturë unë kisha përdorur talent e mjeshtëri… Unë kisha lexuar disa revista dhe libra të huaj në bibliotekën e institutit, si dhe citate të artistëve dekadentë mbi ‘lirinë e pakufishme’ të krijimtarisë dhe këto pikëpamje të tyre i kam komentuar duke biseduar me Maks Velon etj., Emrat e tyre tani nuk më kujtohen, duke i lavdëruar ata për mendimet, krijimet dhe pikturat e tyre. Unë u kam thënë se piktura nuk duhet të ketë asgjë të përbashkët me letërsinë. Piktura duhet të shpjegohet me fjalë dhe se piktura nuk duhet të ketë asgjë të tillë, se piktura dëmtohet kur merr elemente të tilla. Kjo do të thotë që piktura të jetë e pavarur. Me këto mendime të miat qenë dakord dhe ata. Madje, Maks Velo një ditë aty nga viti 1972 më mori në studion e tij dhe më citoi disa thënie të autorëve dekadentë të Perëndimit si: Pikaso, Shagall, Renuar etj., dhe unë i thashë i entuziazmuar të m’i kopjonte këto citate dhe të m’i jepte. Ai tha mirë, por unë nuk shkova t’i merrja dhe nuk ia kam marrë. Maksit atë ditë i pashë që kishte bërë edhe piktura me ndikime nga këta autorë dhe unë ia lavdërova duke e inkurajuar atë”. Punëtori Operativ/Piro Katro.

DOKUMENTI 14
SEKRET
Tiranë, më 02.09.1975
Sot më datë 27.07.1975 u takova në studion e tij me skulptorin Hektor Dule. Pasi bisedova për krijimtarinë e tij në fushën e skulpturës (pasi Hektori ka një krijimtari pozitive dhe partishmëri e taban kombëtar) e pyeta atë për kolegun e tij Maks Velo, për të cilin e dija që Hektori e ka pasur shok para dy-tri vitesh, por janë zënë me të dhe tani nuk flasin. Për Maks Velon, Hektori më tha këto gjëra: “Maks Velo është tip borgjezi, njeri i lig. Unë me të kam punuar në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës dhe kam pasur njëfarë njohjeje, por jemi zënë dhe tani nuk flasim. Shkaku i zënies sonë ka qenë sepse ai ka tentuar të kapë njëherë motrën time me dorë, në kohën kur kjo ka ardhur të më kërkonte mua në Komitet. Në atë kohë, Maksi ka bërë pjesë në rrethin shoqëror të Fadil Paçramit, Ibrahim Uruçit, V. K. dhe I. K., dhe mbahej afër nga Fadil Paçrami. Në vitin 1962, kur kisha gati një vit që isha kthyer nga Çekia, i kam shkuar për herë të parë për vizitë Maksit në shtëpi, me ftesën e tij. Kur vajta në shtëpi vura re se aty kishte një luks të madh dhe binte erë ambient komplet borgjez. Për sa i përket krijimtarisë artistike të Maksit, ai është njeri ‘snob’ (i paaftë), por që do të tregohet se është i zoti në pikturë dhe arkitekturë. Më kujtohet mirë se kur është bërë diskutimi i veprave me rastin e 30-vjetorit të Çlirimit, Maks Velo ka bërë një diskutim shumë të poshtër… Në vitin 1971 ‘72 Maksi mori përsipër të bënte disa punime arkitektonike për hotel ‘Vollgën’ (Drinin). Vizatimet i kishte bërë vetë, ndërsa punimet në bronz apo argjend ia bëri punëtori i ndërmarrjes artistike ‘Migjeni’, Nasi Buraci. Në komisionin e vlerësimit të këtyre objekteve isha edhe unë dhe nuk i pranuam asnjë, sepse që të gjitha ishin punë pa vlerë, pa kuptim dhe ekstravagante. Maksi është shoqëruar edhe me Mihal Hanxharin. Maks Velo dhe ndonjë simpatizant i tij, e maskonin krijimtarinë e tij gjoja se ajo bazohej në motive popullore. Kur ka qenë në institut si pedagog Maks Velo gjithashtu ka pasur shfaqje të theksuara të huaja në punën e tij me studentët. Për këtë gjë mund t’ju flasin më mirë ata që e njohin nga afër për këtë periudhë”.
Punëtori operativ/ Ropi Postoli/
Hektori më tha edhe faktin se e ka parë Maksin me gruan e tij dhe fëmijën nga shtëpitë e gjermanëve te kodrat.

Gazeta Shqiptare