26 Janar 2024

Më herët investigimi i “Ora News” ka sjelle në vëmendje  “zhdukjen” e 54 ton mish dhe sallam KMY, kjo pasi Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk kishte informacion se ku është groposur sallami i skaduar.

Çdo blerës duhet të dijë se me çfarë ushqehet dhe çfarë përbërësish ka produkti që konsumon.

Nga kjo e drejtë themelore e konsumatorit, i lind detyrimi ligjor çdo biznesi që në etiketimin e ushqimeve të deklarohet lista e përbërësve, në të kundërt produkti ushqimor nuk mund të tregtohet.

Në “Ora Investigim” ka mbërritur denoncimi se kompania “KMY” i shmanget detyrimit ligjor për të informuar qytetarët se çfarë konsumojnë.

Ky është paketimi 1 kg kremviçe pule “KMY”. Siç shihet qartë paketimi nuk ka informacionin e detyrueshëm ushqimor siç është lista e përbërësve, lëndët ndihmëse dhe vlerat ushqyese.

Edhe pse plotësisht në kundërshtim me Vendimin Nr. 434 për etiketimin e ushqimeve, ky produkt tregtohet në të gjitha marketet e vendit, nën hundën e AKU.

Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv i Qendra “ALERT”: “Çdo produkt ushqimor duhet të ketë listën e përbërësve dhe prandaj ka legjislacion, i cili i detyron të gjithë subjektet prodhuese që të vendosin listën e përbërësve në etiketim. Sipas natyrave të produkteve vijnë edhe rreziqet. Por në radhë të parë, konsumatori përtej rreziqeve, nuk duhet të mashtrohet me atë çfarë po blen. Pra, ai duhet të dijë që brenda një produkti të caktuar që merr dhe konsumon, duhet të dijë që ka disa shtesa, adezivë ushqimorë të cilët janë pjesë e atij produkti, kur ato janë. Produktet që kanë edhe shtesa që janë alergjenë, për konsumatorin deklarohen në etiketë me detyrim. Alergjenet janë ato produkte ushqimore, shtesa të cilat shkaktojnë alergji tek njerëzit. Ose njerëzit mund të kenë alergji nga ato adezivë ushqimorë, të cilët listohen veçmas në etiketë”.

Tregtimi i këtij  paketimi te KMY është i paligjshëm dhe duhet të hiqet menjëherë nga tregu, ndërkohë që sipas ndryshimeve të reja në legjislacion, mashtrimi me produktet ushqimore  konsiderohet vepër penale.

Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv i Qendra “ALERT”: “Në momentin që këto produkte janë në treg ndryshe nga çfarë parashikon kjo VKM, së pari janë të paligjshme, të cilat rrezikojnë shëndetin e konsumatorit. Subjekti që ka prodhuar dhe ka nxjerrë në treg pa etiketën e duhur, e cila është e dyshimtë se si është miratuar dhe etiketuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në këtë rast, meqenëse bëhet fjalë për një produkt ushqimor, ka shkelur ligjin. Dhe që këtu fillon penaliteti që duhet t’i bëjë AKU. Në rastin e verifikimit të produktit pa etiketimin e duhur, subjekti detyrohet ta kthejë atë produkt mbrapsht, të njoftojë sigurisht edhe konsumatorin që e ka në shtëpi të mos e konsumojë dhe ta kthejnë në pikat ku e kanë blerë atë produkt, dhe të penalizohet më pas sipas parashikimeve në ligjin përkatës. Sepse ka kryer vepër penale të mashtrimit me ushqimin në këtë rast”.   

Në lidhje me këtë problematikë i jemi drejtuar me një kërkesë për informacion “KMY”, por ky subjekt nuk na ka kthyer asnjë përgjigje.

Për sa kohë që KMY ndihet e pa shqetësuar nga inspektorët e AKU do të vijojë të hedhë në treg produkte që rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Më herët investigimi i “Ora News” ka sjelle në vëmendje  “zhdukjen” e 54 ton mish dhe sallam KMY, kjo pasi Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk kishte informacion se ku është groposur sallami i skaduar.

Nga Alketa Çeku