Klodiana Lala

18 Gusht 2026

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në “News24”, ka analizuar ecurinë e disa prej dosjeve më të rëndësishme që po hetohen nga SPAK, duke nisur nga rëndimi i pozitës ligjore të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, hetimet mbi pasurinë e Erion Veliajt, e deri te aferat e AKSHI-t dhe dosja “Aruba”.

Sipas gazetares, pozita ligjore e Belinda Ballukut është rënduar për shkak të akuzave të reja për korrupsion dhe pastrim parash. Prokurorët dyshojnë se lotët e Unazës së Madhe janë paracaktuar nga ajo dhe vartësit e saj. Në kuadër të hetimeve, janë ushtruar kontrolle në disa vila në jug të vendit si dhe te kompania “Atelier 4”, e cila dyshohet se ka projektuar këto vila që mund të jenë pasuri të fshehura të saj.

Kontroll është ushtruar edhe ndaj një arkitekti në Vlorë, ndërsa aktualisht po kqyren 53 telefonë celularë me autorizim të gjykatës. SPAK ka afat hetimor deri më 20 tetor, me mundësi shtyrjeje edhe me tre muaj. Balluku mbetet zyrtarja më e lartë e marrë si e pandehur nga drejtësia.

Ajo shtoi se në fokus të SPAK mbetet edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të cilin po vijon hetimi pasuror. Nga verifikimi i hyrje-daljeve ka rezultuar se Veliaj ka kryer mbi 100 udhëtime jashtë vendit brenda dy viteve e gjysmë, çka do të thotë se për gati një vit ka qëndruar jashtë Shqipërisë. Paralelisht, prokurorët po hetojnë edhe një ish-ministre të Partisë Socialiste lidhur me rolin e saj në disa transferta monetare jashtë vendit.

Gazetarja u ndal edhe te dosja e AKSHI-t, ku shtetasi Ermal Beqiraj u arrestua nga autoritetet franceze. Ai kishte blerë një kështjellë në Francë, avionë të lehtë që i pilotonte vetë dhe kishte hapur kompani në vende të BE-së. Sa i përket dosjes “Aruba”, ku përfshihen Artur Shehu, Ilir Shtufi dhe grupet “Koçeku” e “Hamzai”, priten zhvillime të reja lidhur me takimet e zhvilluara në Aruba, Majorka e vende të tjera. Po ashtu, vijojnë hetimet për pastrim parash ndaj organizatës së Shpëtim Aliut, ndërsa dinamikat e brendshme në SPAK mund të sjellin edhe çështje të tjera surprizë.