29 Qershor 2026
Kërkesa e SPAK për heqjen e imuniteti të Belinda Ballukut në sirtarin e Niko Peleshit, kush janë ministrat që rrezikojnë nga fshesa e revolucionit “Flamingo”, nga Karakaçi, Nufi, Malaj deri te Koçiu dhe Kumbaro

Shqipëria ndodhet prej 27 ditësh nën kthetrat e të ashtuquajturit revolucioni “Flamingo”, një valë protestash popullore që ka paralizuar Tiranën dhe ka shkatërruar qetësinë e mazhorancës socialiste. Presioni ka arritur kulmin pas një ultimatumi të prerë nga Bashkimi Evropian, i cili kërkon me ngulm t’i jepet fund pandëshkueshmërisë zyrtare në nivelet më të larta të shtetit.

Gazeta “Sot” ka mësuar se Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvend kërkesën e re për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas ngritjes së akuzave të reja ndaj saj si e dyshuar në afera korruptive dhe pastrim parash. Kjo dosje përvëluese aktualisht ndodhet e kyçur në sirtarin e kreut të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili po luan me kohën nën ankthin e një shpërthimi politik.

Megjithatë, ndonëse herën e parë Partia Socialiste e refuzoi me arrogancë dorëzimin e ish-zv/kryeministres Balluku para drejtësisë, burime konfidenciale sugjerojnë se kryeministri Edi Rama, i futur në presion (ngushtim) nga kushti i BE-së dhe frika e përshkallëzimit të revoltës qytetare që kërkon “Ballukun në burg”, ka vendosur ta sakrifikojë ish-numrin dy të qeverisë.

Madje sipas të njëjtave burime për të zbutur zemërimin popullor dhe për të larë duart para ndërkombëtarëve, kreu i qeverisë po përgatit një fshesë të madhe spastrimi. Ky operacion politik pritet të nisë me ndryshime rrënjësore në kabinet, ku të gjithë ministrat dhe njerëzit e linjës së Ballukut do të fshihen pa mëshirë nga skena, duke shënuar kështu fillimin e rënies së një prej klaneve më të fuqishme brenda socialistëve.

Kështu mes ministrave që rrezikojnë të largohen nga kabineti qeveritar “Rama 4” janë “ushtarët” e Belinda Ballukut si: ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi; ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi; ministri i Financave, Petrt Malaj; zv/kryeministrja Albana Koçiu dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Mesazhi dhe strategjia e mbijetesës së Ramës

Por kjo lëvizje e dëshpëruar e kryeministrit Edi Rama tregon qartë se ai është gati t’ia dorëzojë imunitetin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku drejtësisë, si një premtim të mbajtur ndaj Bashkimit Evropian së për çeljen e kapitullit të parë të negociatave.

Përmes këtij kurbani të madh, kryeministri Rama synon të blejë kohë duke zbutur njëkohësisht edhe zemërimin legjitim të protestuesve që kanë mbushur sheshet dhe rrugët e Tiranës prej afro një muaji. Ndërkohë, sikundër e theksuam viktima të menjëhershme të fshesës së pamëshirshme të revolucionit “Flamingo” do të jenë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ballukut në qeveri, ku flitet për shkarkimin e ministrave si Nufi, Malaj, Karakaçi dhe të tjerë.

Pra, kreu i qeverisë po luan me mjeshtëri një strategji të pastër mbijetese, ku për të shpëtuar veten nga kjo situatë mbytëse, nuk nguron të presë “koka” të rëndësishme bashkëpunëtorësh. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse ky spastrim do ta qetësojë revoltën apo do të nxisë një luftë të hapur brenda llojit në Partinë Socialiste.

Nga Gazeta Sot