12 Prill 2023

Porti i Durrësit mund të kthehet në “një minë me sahat” për shtetin shqiptar. Edhe pse qeveria po vazhdon me shpejtësi “rrufe” planin për nisjen e ndërtimit të rreth 12 mijë apartamenteve, një porti jahtesh, etj, në 818 mijë m2 përreth portit më të madh në Shqipëri dhe Ballkan, një problem i ri shtohet.

Ashtu siç u paralajmërua 4 muaj më parë, kompania gjermane “EMS Shipping&Trading GmbH” (EMS APO) ka paditur shtetin shqiptar në Qendrën Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve të Investimeve (ICSID), ose e njohur ndryshe si Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në Uashington për shkelje të kontratës koncesionare nga qeveria shqiptare, me pretendimin se është cenuar aktiviteti i saj nga marrëveshja 2.1 miliardë euro e firmosur me biznesmenin arab Mohamed Alabbar, i cili ka marrë përsipër realizimin e projektit të transformimit të Portit të Durrësit.

Lajmi u konfirmua nga Reporteri i Arbitrazhit të Investimeve, organ i ICSID. Padia është dërguar përpara 5 ditëve në Uashington. Në këtë situatë, shteti shqiptar rrezikon të paguajë një tjetër gjobë të majme në Arbitrazh, pasi javën e kaluar biznesmeni italian Francesco Becchetti fitoi 108 milionë euro kompensim në ICSID, pasi u detyrua në 2015 të mbyllte televizionin “Agon Channel” si pasojë e përplasjeve të vazhdueshme me qeverinë “Rama 1”. Humbjet e shumta në Arbitrazh me kompani të huaja do t’i krijojnë shtetit shqiptar dhe qytetarëve një “gropë” të madhe ekonomike që mund të shkoj deri në 1 miliardë euro, ç’ka mund ta dërgojë vendin në një krizë historike ekonomike.

Pra duket qartë se faturat e kripura të gjyqeve në arbitrazh për kontrata klienteliste po rrisin borxhin. Ky dëm i shkaktuar nga kapriçot e zyrtarëve do të paguhet nga qytetarët shqiptarë, ndërkohë që me këtë vlerë do të rriteshin 110% pensionet në të gjithë vendin.
“EMS APO” letër në nëntor Shqipërisë dhe BE: ‘Porti i  Durrësit’ na rrezikon
Pala paditëse “EMS Shipping&Trading GmbH”, e cila ka me koncesion për 35 vite kalatat në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit, kishte paralajmëruar qeverinë shqiptare, selinë e BE, ambasadën gjermane në vendin tonë, etj., në nëntor të vitit të kaluar se do ta dërgonte çështjen e saj në Arbitrazh Ndërkombëtar, nëse shteti ynë nuk bënte transparent projektin “Marina&Jahtet Durrës”, i cili prek dhe territorin ku operon “EMS Shipping&Trading”.

Kjo kompani, e cila e ka fituar tenderin për ngarkim-shkarkim kontenierësh në pjesën lindore të Portit të Durrësit që në korrik 2013,  denoncoi se do t’i transferohet me pa të drejtë zona e operimit të saj në Portin e Durrësit, dhe për rrjedhojë, koncesioni “digjet”. “Nënshkrimi dhe përmbushja e Marrëveshjes Kuadër dhe Anekseve të saj, siç janë hartuar aktualisht, do të sjellë përfundimin e Kontratës së Koncesionit përpara afatit 35 vjeçar. Zona e projektit që do t’i dorëzohet Investitorit Strategjik sipas Marrëveshjes Kuadër (Aneksi 11), tregon se një pjesë e rëndësishme e Zonës së Koncesionit tonë do të na merret sapo të përmbushen kushtet e Fazës 1”, thuhet në letrën e “EMS APO” dërguar Kuvendit të Shqipërisë, kryeministrit Edi Rama, zv/kryeministres Belinda Balluku, Zyrës së Delegacionit të BE në Tiranë, ambasadorëve gjerman dhe asaj të BE në vendin tonë.
Shqetësimet e “EMS APO”: S’ka port të ri tregtar në Porto Romano, qeveria e paqartë
Shpjegimi që ka bërë qeveria shqiptare për aktivitetin e Portit të Durrësit, në rast realizimi të projektit “Marina&Jahtet Durrës”, është cilësuar si i paqartë nga “EMO APO” lidhur me vlerësimin se “aktivitetet do të zhvendosen në harmoni me fazat e zhvillimit të projektit, në portin e ri të integruar të Durrësit në Porto Romano”. Përveç kësaj, “EMS APO” pretendoi se nuk ka projekt për port të ri tregtar që premtohet se do të ndërtohet në Porto Romano.

Kjo shtohet dhe nga fakti që në Relacionin Shpjegues nuk ka të dhëna për afatin e përfundimit të tij. “ ‘Aktiviteti i Portit të Durrësit nuk do të ndërpritet dhe as pengohet gjatë fazave të projektit nga Investitori Strategjik. Këto aktivitete do të zhvendosen në harmoni me fazat e zhvillimit të projektit, në portin e ri të integruar të Durrësit në Porto Romano’. Supozojmë se gjuha e mësipërme e përdor në Relacionin Shpjegues, edhe pse e paqartë, nënkupton se aktivitetet e kryera nga ‘EMS APO’ sipas Kontratës së Koncesionit në Portin e Durrësit nuk do të cenohen dhe do të zhvendosen në ‘portin e ri’ në Porto Romano. Një shqetësim tjetër është fakti se ‘porti i ri’ në Porto Romano, i përmendur në Relacionin Shpjegues, nuk ekziston dhe nuk jemi në dijeni të afatit kohor brenda të cilit Qeveria Shqiptare do të jetë në gjendje të ndërtojë ‘portin e ri”, shprehet “EMS APO” në letrën drejtuar institucioneve të shtetit shqiptar.
Berisha: ‘EMS APO’ mund të padisë shtetin shqiptar, dëm 200-300 mln euro
Në 23 nëntor 2022, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi gjatë një konference për mediat se shteti shqiptar mund të pësojë një goditje të fortë financiare nëse i hap rrugë ndërtimit të mbi 12 mijë apartamenteve, zonë për jahtet, hotele, marinë, etj., rreth Portit të Durrësit.

Ai ngriti alarmin se kompania gjermane “EMS APO” që ka tender Terminalin Lindor të Portit të Durrësit, mund të padisë shtetin shqiptar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për shkelje të kontratës dhe të dëmshpërblehet 200-300 milionë euro. “Sipas kontratës, EMS thotë se ruan të drejtën që të marrë masa ligjore për përfundim të parakohshëm të kësaj kontrate, që mund t’u kushtojë shqiptarëve 200-300 milionë euro pa asnjë hezitim. Shqiptarët do paguajnë haraçin, përveç 2 miliardë për portin e ri, do paguajnë edhe gjobat e tmerrshme,” tha Berisha para 5 muajve.

Nga DARIO VELAJ.

Gazeta Sot