Kadri Vokopola

“Kadrinjtë”/Si ndihesh me këtë emër? Mapo bisedon me Kadri Vokopolën. –

31/03/19

Nga:   mapo.al

Prej nëntorit të vitit të kaluar, Edi Rama hodhi në treg një batutë, që e përdori pastaj cdo ditë duke etiketuar me tendencë negative, gazetarët dhe drejtuesit e medias. Gjithcka nisi nga një replikë e tij me një qytetar që identifikohet në Facebook, si Kadri Veseli. Prej atij momenti, Rama i quan të gjithë kritikët me të e me qeverinë, kadrinj. Kadrinjtë, kadriu, cimkadrinjtë, janë ndoshta fjalët më të dendura të këtyre muajve. Gazeta Mapo kërkoi të interesohet, se si ndihet një njeri që quhet Kadri, që prindërit i kanë vënë këtë emër, nisur nga kjo furtunë publike. Si ndihet dikush, kur kryeministri i vendit, emrin e tij e përdor si epitet për keq. Mendja na shkoi tek më i njohuri nga ata, tek Kadri Vokopola. Mbreti i fjalëkryqeve dhe quizeve.

Kadri Vokopolën e gjen tek kafet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Gjëja e parë që ndesh tek ai, është e qeshura e gjatë, e pandërprerë, e gëzueshme. Prej vitesh kështu. Megjithatë ai e pranon se ky stigmatizim i përdorur nga Rama i sjell shqetësim. Edhe në familje, edhe në lagje, në komunitet. Pasi bëhet burim batutash. Me një karrierë 25-vjeçare në media, Vokopola natyrisht e merr këtë në mënyrë sportive. Ai ka menduar deri në atë pikë sa të krijojë një hapësirë komode virtuale të pagëzuar; “Kadrinjtë.al”.

Teksa komentet e provokuara, të ardhura nga familja dhe shoqëria i cilëson sa komike aq dhe bezdisëse, ai nuk ngurron të shfaqë kureshtjen për të qenë në dijeni për ndjesitë e të gjithë atyre të tjerëve, që quhen Kadri. Këta të fundit, sipas tij, gjenden të shumtë në numër; të shumtë dhe të lidhur në mënyrë të pashmangshme tashmë prej nofkës më të famshme të kohëve të fundit. Kadri Vokopola, edhe pse në media prej më shumë se dy dekadash, nuk bën pjesë në bashkësinë e atyre analistëve që Rama i ka halë në sy, si shtrembërues të realitetit sipas tij. Ai është autori i dhjetra fjalëkryqeve dhe enigmave që synojnë të jenë argëtim dhe gjimnastikë për mendjen e lexuesve pothuajse në të gjitha të përditshmet shqiptare. “Nuk e kuptoj pse ka zgjedhur pikërisht fjalën Kadri. Kur e kam dëgjuar për herë të parë, u futa pak në dilemë. Mendja më shkoi se mbase ka patur një konflikt me dikë, me këtë emër, ose ngaqe nuk ka zgjidhur dot ndonjë fjalëkryq timin”, thotë Vokopola, me qesendi.

Kadri Vokopola