20 Gusht 2026

Qytetarët u mblodhën pasditen e sotme për të 81-tën ditë në bulevardin përpara kryeministrisë, duke treguar qëndrueshmëri për largimin e Edi Ramës.

Në nisje të protestës, një prej protestuesve, në emër të grupit koordinues, bëri me dije se i janë drejtuar institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Parlamentin Europian dhe organe të tjera, me kërkesën për monitorimin e protestave.

“Ia kemi dërguar disa institucioneve ndërkombëtare, PE dhe organeve të tjera. Këtë kërkesë e kemi dërguar dhe tani e gjithë protestë dhe njerëzit janë në vëzhgim nga organet ndërkombëtare që të mos kemi më dhunë policore, arrestime arbitrare dhe forma të tjera presioni”, tha ai.

Fjalimet iu dedikuan mjedisit, ku morën fjalën anëtarë të organizatave mjedisore dhe arkitektë, të cilët shprehën kundërshtinë e tyre për disa projekte që kanë prekur zonat e mbrojtura, si Zvërneci, apo edhe Aeroporti i Vlorës, që është ndërtuar po ashtu në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.