
Ja çfarë i pengon arkeologët që të mos hapin varrin e perandorit të parë kinez
23 Maji 2025
Varri i Qin Shi Huang, perandorit të parë të Kinës qëndron i paprekur prej më shumë se 2,200 vjetësh, dhe për një arsye të fortë. Arkeologët kinezë kanë zgjedhur të mos e hapin varrin monumental, të vendosur pranë qytetit Xi’an, duke përmendur frikën nga dëmtimet e pariparueshme, kërcënimet mjedisore dhe ndoshta edhe kurthe vdekjeprurëse.
Ky varr u zbulua rastësisht në vitin 1974 nga disa fermerë të krahinës Shaanxi, kur u gjet një nga zbulimet më madhështore arkeologjike të shekullit.
Por ndërsa zona përreth është eksploruar gjerësisht, vetë dhoma e varrit nuk është hapur kurrë.
Sipas burimeve historike dhe shkencore, ekziston një ndjenjë e përbashkët frike mes ekspertëve. Një nga zërat më të hershëm, historiani i famshëm kinez Sima Qian, shkruante rreth një shekull pas vdekjes së Qin Shi Huang se brenda varrit ishin vendosur kurthe të armatosura me harqe dhe shigjeta, gati për të qëlluar këdo që guxonte të hynte. Ai përmendte gjithashtu përdorimin e merkurit për të simuluar lumenj dhe dete, një detaj që nuk mbetet thjesht në nivel legjende.
Hulumtime moderne kanë zbuluar përqendrime të larta merkuri në zonën përreth, duke vërtetuar në njëfarë mënyre besueshmërinë e shkrimeve të lashta.
Një studim i vitit 2020 paralajmëronte për rrjedhje të mundshme të këtij elementi toksik nga çarje të krijuara gjatë shekujve.
Përveç rrezikut nga kurthet apo përbërjet toksike, arkeologët theksojnë se mungesa e teknologjisë së duhur është një tjetër arsye pse varri ende nuk është hapur.
Ekspertët mendojnë se çdo ndërhyrje në një ambient të mbyllur për mijëvjeçarë mund të shkaktojë dëme të parikuperueshme mbi reliket e brendshme.
Për momentin, shkencëtarët po punojnë mbi teknika jo-invazive, si radarët nëntokësorë apo skanimi me valë, për të eksploruar strukturën e brendshme pa e prekur atë fizikisht. Megjithatë, asnjë nga këto metoda nuk ka sjellë deri tani rezultate të mjaftueshme për të justifikuar hapjen e varrit.
Përtej çështjeve teknike e shkencore, qëndron edhe një konsideratë kulturore dhe etike: në traditën kineze, prehja e të vdekurve, sidomos e figurave historike me rëndësi të veçantë, duhet të respektohet me përpikmëri.
Autoritetet kineze kanë deklaruar se varri i Qin Shi Huang nuk do të hapet derisa të sigurohet një metodë 100% e sigurt për ruajtjen dhe dokumentimin e përmbajtjes së tij.
Qin Shi Huang, që mbretëroi nga viti 221 deri më 210 p.e.s., është i njohur jo vetëm si themeluesi i dinastisë Qin, por edhe për fillimin e ndërtimit të Murit të Madh dhe për krijimin e një sistemi të centralizuar qeverisës që ka lënë gjurmë në historinë kineze.
Varri i tij, i ruajtur me një ushtri të heshtur prej balte, mbetet një nga misteret më të mëdha të arkeologjisë modern, një thesar i pazbuluar që pret kohën e duhur.