
Hapet “Kutia e Pandorës” kush është koordinatori i Edi Ramës që mbante lidhjet me grupin e Durrësit që u godit nga… “
23 Maji 2025
Nga: Gazeta Sot
Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Antimafia italiane kanë shënjestruar një nga rrjetet më të fuqishme të krimit të organizuar në Shqipëri. Goditja u përqendrua dje në Durrës, por përtej arrestimeve dhe konfiskimeve, ajo që pritet të dalë në dritë është një skemë e frikshme lidhjesh mes krimit dhe politikës, që dyshohet se është ndërtuar dhe e mbrojtur nga vetë qeveria e Edi Ramës. Në epiqendër të këtyre zhvillimeve që do të shkundin themelet e pushtetit, është përmendur një emër që deri më tani ka qëndruar në prapaskenë: Ergys Agasi, i identifikuar si koordinatori i Ramës me grupet kriminale, sipas një denoncimi të drejtpërdrejtë të bërë publikisht nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj.
Në një intervistë për televizionin italian Rai3, e dhënë gjatë arratisë së tij nga drejtësia shqiptare, Arben Ahmetaj hodhi një akuzë direkte dhe tronditëse ndaj kryeministrit, duke deklaruar se ai ka pritur personalisht eksponentë të krimit të organizuar në zyrën e tij të qeverisë. Madje, Ahmetaj konfirmoi se i ka parë me sytë e tij këta takime, ku merrnin pjesë figura të botës së errët nga Dibra, Elbasani dhe veçanërisht Durrësi. “Grupet kriminale marrin tenderë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre. Ndërtojnë, pastrojnë paratë në ndërtim në Shqipëri.
Praktikisht shesin drogë në të gjithë Europën dhe pastaj i kalojnë në Shqipëri. Ka në fakt një koordinim mes organizatave mafioze. Ata nuk vriten me njëri-tjetrin sepse Edi Rama iu ka kërkuar të mos i hapin telashe”, tha Ahmetaj. Më tej, ai zbuloi identitetin e personit që ka mbajtur lidhjet mes Ramës dhe botës së krimit: “A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve. Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet”, tha Ahmetaj pak kohë më parë.
Kush është Ergys Agasi?
Ergys Agasi për të cilin dyshohet se ka një urdhër-arresti, është një biznesmen nga Durrësi, djali i ish-deputetit socialist, Bardhyl Agasi i cili ka qenë Sekretar i PS në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga Fatos Nano. Edhe pse i ati ka qenë socialist, në skenën politike Ergys Agasi është futur nga LSI. Ai ka mbajtur postin e kreut të Inspektoratit të Mjedisit, në kohën kur Ministër i Mjedisit ishte Lefter Koka. Gjatë kësaj kohe, Agasi duket se ka krijuar lidhje të forta miqësie me Alqi Bllakon, pasi me babanë e ish-deputetit socialist ka edhe një kompani, “EA LOGISTOCS”, me objekt transportin kombëtar dhe ndërkombëtar të mallrave. Por në vitin 2017, Agasi dha dorëheqjen nga posti dhe iu bashkua Partisë Socialiste dhe sot ai ka një pushtet të madh nën hije. Me një influencë mjaft të madhe pas pushtetit të dhënë nga Edi Rama, Agasi shfaqet herë si biznesmen, herë si këshilltar i Ramës, herë si koordinator i lidhjeve të politikës me botën e egër të krimit për interesa elektorale sipas denoncimeve të Ahmetajt dhe opozitës
“Visi i Pojës” mori leje nga Rama për ndërtimin e një hoteli
Gjithashtu, në kuadër të hetimeve të fundit të SPAK dhe Antimafias italiane, u zbuluan detaje tronditëse për rrjetin kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës me bazë në Durrës. Një prej emrave kyç të këtij grupi është Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, i cili shihet si pasardhësi i kreut të bandës, Xhevdet Troplinit. Përveç trafikut të drogës, Doçi zotëron një rrjet të gjerë biznesesh dhe pasurish, duke përfshirë restorante, kompani tregtare, por edhe një firmë ndërtimi – “Eldemar Construction”. Një vit më parë, kjo kompani mori leje zyrtare për ndërtimin e një hoteli 10-katësh në Durrës, leje që u miratua nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ky fakt zbulon një aspekt thelbësor të mënyrës sesi paratë e pista të trafikut të drogës pasurohen dhe legjitimohet ndikimi i grupeve kriminale në ekonominë shqiptare, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.
Skenari i dhënë nga Ahmetaj për koordinimin e lidhjeve mes politikës dhe krimit organizuar në Durrës gjen kështu një provë konkrete dhe shqetësuese. Në kontrollin e banesës së Doçit, SPAK sekuestroi 3 milionë euro cash, një tjetër tregues i fuqisë financiare të bandës. Kjo rrjetë kriminale jo vetëm që ka kapur tregjet e drogës në Europë, por po përdor lidhjet politike për të mbrojtur dhe zgjeruar interesat e saj në Shqipëri. Për më tepër, miratimi i lejeve për ndërtim nga instanca të larta qeveritare tregon si lidhjet mes politikanëve dhe krimit janë pjesë e skemave të mëdha të pastrimit të parave dhe influencës mbi ekonominë dhe politikën lokale. Kjo goditje e SPAK dhe Antimafias italiane, së bashku me akuzat e hapura dhe të dokumentuara nga ish-ministri Arben Ahmetaj për lidhjet direkte të Ramës me “koordinatorin” Ergys Agasi dhe grupet kriminale në Durrës, duhet të jetë një alarm për publikun dhe institucionet. “Kutia e Pandorës” është hapur, dhe pritet që vijat e errëta politike që lidhin pushtetin me baronët e drogës të dalin në dritë.