IDU miraton rezolutën për Shqipërinë/ Ngrihen shqetësime për zgjedhjet, korrupsionin dhe shtetin e së drejtës

2 Maji 2026
Bashkimi Ndërkombëtar Demokrat ka miratuar rezolutën e tetë për Shqipërinë, ku ngrihen shqetësime për zhvillimet demokratike, funksionimin e institucioneve dhe procesin e integrimit europian.
Shqipëria vlerësohet me terma kritikë si “autokraci elektorale”, ndërsa theksohet se korrupsioni sistemik dhe mungesa e llogaridhënies në nivelet e larta të qeverisjes po pengojnë përparimin drejt Bashkimit Europian.
Rezoluta i referohet gjithashtu raporteve të organizatave ndërkombëtare duke evidentuar përkeqësim të perceptimit për korrupsionin dhe ngadalësim të reformave.
Në rezolutë theksohet se proceset zgjedhore në Shqipëri nuk kanë përmbushur plotësisht standardet ndërkombëtare, duke përmendur keqpërdorim të burimeve shtetërore, presion ndaj votuesve dhe ndikim të elementëve kriminalë.
Po ashtu, ngrihen shqetësime për sistemin e drejtësisë, përfshirë vonesa të gjata në gjykime dhe akuza për drejtësi selektive dhe ndërhyrje politike në çështje të ndjeshme.
Rezoluta paralajmëron gjithashtu për ekspozimin e Shqipërisë ndaj ndikimeve të huaja, përfshirë aktorë si Rusia dhe Kina, si dhe rreziqe kibernetike dhe kërcënime hibride ndaj institucioneve shtetërore.
IDU i bën thirrje autoriteteve shqiptare për reforma gjithëpërfshirëse në sistemin zgjedhor, forcim të shtetit të së drejtës dhe respektim të pluralizmit politik, duke theksuar se progresi drejt Bashkimit Europian varet nga zgjedhjet e lira dhe institucionet e pavarura.
Në përfundim, rezoluta nënvizon nevojën për përmirësime të thella institucionale si kusht për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian
