‘Histori suksesi’. – Sipas Edi Ramës, AKSH-i është një histori suksesi dhe një model që duhet ndjekur nga Europa.

4 Gusht 2026
Nga Grigels Muçollari
Diferenca mes propagandës dhe realitetit është bërë një tipar i qeverisjes 13-vjeçare të Edi Ramës. Premtimet dhe deklaratat e tij janë rrëzuar vazhdimisht nga faktet.
Rasti i fundit lidhet me të shumëkërkuarin Ermal Beqiri, një emër që sipas hetimeve të SPAK-ut del në qendër të një skeme të lidhur me tenderët e AKSH-it.
Sipas Edi Ramës, AKSH-i është një histori suksesi dhe një model që duhet ndjekur nga Europa. Por pikërisht në këtë institucion, Prokuroria e Posaçme ka zbuluar një grup të strukturuar kriminal ku përmenden Karçanaj, Agasi, Beqiri dhe të tjerë.
Një nga produktet kryesore të AKSH-it është e-Albania, një platformë që vazhdimisht përballet me ndërprerje dhe probleme funksionimi, ndërsa shumë shërbime, veçanërisht për bizneset, mbeten të bllokuara.
Produkti tjetër duket se ka qenë pasurimi i klientëve të qeverisë. Një nga rastet më të bujshme është ai i Ermal Beqirit, të cilit i atribuohet blerja e një kështjelle në Francë me vlerë rreth 2.6 milionë euro.
Për këtë ‘histori suksesi’ propaganda nuk flet. Por faktet e bëra publike tregojnë se i shumëkërkuari ka përfituar rreth 200 milionë euro tendera nga AKSH-i, me ndihmën e zyrtarëve që sot janë nën hetim.
Nuk dimë sa i talentuar është si sipërmarrës. Por dimë se ngritja e tij financiare përkon me periudhën kur fitoi monopol në tenderët e AKSH-it, mori dhjetëra kontrata publike dhe ndërtoi një pasuri që kulmon me blerjen e një kështjelle në Francë.
Prandaj, kur Edi Rama thotë se AKSH-i është një histori suksesi, ndoshta nuk i referohet e-Albania-s që shpesh nuk funksionon. Ndoshta i referohet suksesit të klientëve të qeverisë, të cilët nga tenderët publikë kanë arritur të blejnë prona luksoze në një nga vendet më të shtrenjta të Europës.
Në këtë kuptim, Kryeministri vërtet konfirmohet. Mbetet vetëm pyetja: sukses për qytetarët, apo për klientët e pushtetit?
