Grid Rroji ngre alarmin, kryeministri i ka bërë gati të gjitha letrat, skenari që pritet të zbatohet në shtator dhe lëvizjet në qeveri Grid Rroji,

20 Gusht 2026
Grid Rroji, pedagog i shkencave politike në universitetin CUNY-New York ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u ndalur te takimi i tij së fundmi me kryebashkiakët në Kuç të Vlorës dhe te një deklaratë e tij për qytetin. Sipas Rrojit, kryeministri e sheh Vlorën si një qytet me karakter ndërkombëtar, ndërsa kjo qasje, sipas tij, tregon mënyrën se si qeveria po e koncepton të gjithë Shqipërinë. Rroji akuzoi qeverinë se favorizon investitorët strategjikë, ndërsa qytetarët e thjeshtë përballen me taksa dhe detyrime. Ai pretendoi gjithashtu se pasuritë e vendit po kalojnë gradualisht në duart e investitorëve dhe se kjo politikë po i shtyn shqiptarët drejt emigrimit.
“Sot dua të ndalem në një episod shumë domethënës që na tregon tamam se si na shohin ne ata, se si ata e perceptojnë shqiptarin e thjeshtë; dhe duke folur për këtë punë, ndoshta kuptojmë se çfarë mendimi real ka paria për shqiptarët. Episodi për të cilin dua të flas sot është episodi i takimit të kryeministrit në Kuç të Vlorës me kryebashkiakët, të cilëve po ua ndërpret mandatin me anë të reformës territoriale.
Në fakt nuk po ua ndërpret, por thjesht po ua heq mandatin duke i shkrirë dhe duke i bashkuar me bashkitë e tjera. Ka një vend specifik ku duhet të ndalem sot dhe është një çështje e cila është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme: është prononcimi i tij, i cili nuk gjendet më në YouTube, por unë e kam gjetur në një faqe interneti, në një faqe Facebook-u që të jem më i qartë, ku fare me sinqeritet ai pranon mënyrën se si e sheh ai Vlorën, popullin e Vlorës që e ka votuar (sepse është edhe deputet i popullit të Vlorës) dhe të gjitha qytetet e Shqipërisë, gjithë Shqipërinë. Praktikisht kryeministri në atë klip që besoj se e keni parë edhe në lajme sepse ditën e parë doli, po pastaj u zhduk – na tregon ne shqiptarëve se si na sheh ai ne. Praktikisht ai thotë që Vlora nuk është më një qytet shqiptar, është një qytet i ndërkombëtarëve, është një qytet me potencial ndërkombëtar, ashtu siç do të jetë edhe e gjithë Shqipëria.
Këto nuk janë fjalët e mia, këto janë fjalët e kryeministrit të Shqipërisë, atij që drejton sot qeverinë, atij që është sot kryetari i vendosur nga paria antikombëtare e Tiranës si drejtuesi i shtetit shqiptar, dhe i cili është në shërbim të plotë, pa asnjë lloj kompromisi, të sindikatës ndërkombëtare të krimit, e cila është padroni i ri i shtetit shqiptar dhe e cila ka për qëllim t’ju skllavërojë të gjithë ju dhe të gjithë shqiptarët. Ata që nuk e pranojnë këtë skllavërim t’i largojë, t’i kthejë në emigrantë, t’i kthejë në njerëz të cilët nuk kanë asnjë lloj ndikimi në jetën publike në Shqipëri; dhe ajo që është më kryesorja: të shkatërrojë njëherë e përgjithmonë kombëtarizmin shqiptar, pra shpresën e çdo shqiptari për të jetuar si njeri i lirë, si njeri me nder në një komb shqiptar të përbashkët, i cili mbrohet nga një shtet shqiptar i konsoliduar brenda mundësive që kemi ne.
Pra të gjithë instrumentet e shtetit, të cilat sot i përdor kundër secilit prej jush: kundër atyre djemve e vajzave në demonstratë, kundër jush në qoftë se nuk paguani dritat, kundër atyre nënave që shesin dy fije sallatë, sepse ato nuk mund të kalojnë pa u kapur, ato nuk mund të kalojnë pa u taksuar. Shteti ka nevojë për paratë e tyre, ndaj ka dalë pronari i ri që të mjelë dhe të vjelë sa më shumë para prej jush. E nxjerr dhjamin nga pleshti nëse duhet. Mirëpo ata vetë kanë statusin e investitorit strategjik. Ata vetë vijnë me anë të kryeministrit, vijnë dhe bëjnë sikur investojnë miliarda dollarë, por ndërkohë blejnë copa-copa pjesë të Shqipërisë.

Grid Rroji ngre alarmin,
Atyre vetë nuk u hyhet në këmbë kur nuk u përmbahen kontratave. Atyre u jepet kontrata sa më e volitshme që të jetë e mundshme, ose më e volitshmja e mundshme në gjithë botën, sepse ata ndërkohë kanë lyer rrotën e qerrjes, siç thotë populli shqiptar, dhe kanë paguar të gjithë këta hajdutë dhe maskarenj që janë në drejtim të shtetit shqiptar. Ndërkohë që këta pasurohen, pronari merr të gjitha paratë e mundshme, se pronari e ka atë të vetën 10-100 fish më të madhe, dhe ju skllavëroheni ose detyroheni që të bëheni emigrantë me zor. Pra, dy janë zgjedhjet që na lë kjo pari: ose skllevër, ose të ikim”, u shpreh Grid Rroji.
Ndryshimet
Nga ana tjetër, Grid Rroji e vijoi qëndrimin e tij duke hedhur akuza të tjera ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, kryeministri i ka tashmë të përgatitura vendimet që pritet t’i zbatojë gradualisht, ndërsa paralajmëroi edhe mundësinë e një riformatimi të qeverisë në shtator.
“Kryeministri i ka të gjitha letrat gati. Ia ka bërë gati sindikata ndërkombëtare e krimit dhe ai thjesht pret që t’i nxjerrë gradualisht. Dhe kur i nxjerr, i nxjerr me vendime qarkulluese. Nuk kalon askund, askush nuk mund të flasë gjë. Mund edhe të bëjë ndonjë tani në shtator, ndonjë ripërzierje të qeverisë që t’i ketë të gjithë për vete dhe përfundon e gjitha historia, bëhet “kaposhi në thelë” (kopsitet çdo gjë).
Të gjitha gjërat përfundojnë aty ku do sindikata ndërkombëtare e krimit. Atëherë për ta përmbyllur, se përmbledhja u bë, pyetja e fundit është: po mirë more vëlla, po cila është zgjidhja? Çfarë të bëjmë ne?. Zgjidhja është një dhe vetëm një. Në këtë moment jemi këtu ku jemi. E kaluara duhet të na shërbejë thjesht si një pasqyrë për të ditur ku jemi dhe ku duhet të shkojmë. Nuk mund të rikthehemi me sytë nga e kaluara. Ne duhet të shohim me sytë nga e ardhmja. Sot jemi në një pikë ku ka një grup të konsiderueshëm shqiptarësh, të rinj e të reja, edhe në mosha të tjera, po në pjesën më të madhe janë të rinj e të reja, të cilët kanë kuptuar se duke pranuar kompromiset e kësaj parie po shesin të ardhmen e tyre.
Pra nuk është çështja thjesht tek fytyra, se fytyra, morali është një gjë që duket si abstrakte, si utopike për ndonjërin që s’e ka provuar kurrë të jetojë me nder. Por këtu është puna që këtyre po ju hiqet e ardhmja praktike. Të rinjve dhe të rejave shqiptarë u janë mbyllur të gjitha rrugët praktike sepse në një ekonomi të kriminalizuar nuk ka mundësi për njerëz normalë. Në një politikë e cila i shërben padronit, nuk ka mundësi që dikush t’i shërbejë vendit të vet.
Në një shoqëri e cila udhëhiqet nga parimet e krimit, nga parimet e suksesit në bazë të atij që bën para në çfarëdo lloj mënyre, dhe që udhëhiqet nga moda më e fundit e 20 viteve më parë (se askush nuk e kupton që modat që ndiqen në Shqipëri janë 20 vjet të kaluara, pavarësisht se dalin në TikTok edhe në Instagram) sasia e modave që kalojnë nëpër Shqipëri është një sasi e frikshme. Tregon një sipërfaqësi të frikshme të shoqërisë, sidomos në rrethin e parë të Tiranës, ku të gjithë shohin thjesht atë çka ju pasqyron algoritmi ndërkombëtar.
Pra po të mos ketë ndryshim, një shoqëri e tillë nuk i ofron asnjë lloj mundësie një të riu ose një të reje që është edhe shkolluar jashtë dhe që do të jetojë me nder e do që të krijojë një jetë të vetën në mënyrën e vet. Nuk mjafton pra, nuk mjafton thjesht paraja, nuk mjaftojnë thjesht paret e babit e mamit, nuk mjaftojnë thjesht pushimet e bukura, sepse vjen një moment ku njeriu do të jetojë një jetë me kuptim. Kushdo, edhe njeriu më i thjeshtë, do të jetojë një jetë me kuptim. Por kur vjen puna tek njerëzit që janë më poshtë, ata duan pastaj që të jetojnë të lirë. Çdokush do të donte të jetonte i lirë. Nëse doni të rrini skllevër, rrini skllevër dhe vazhdoni në këtë rrugë. Nëse jo, dilni aty në atë sheshin me ata të rinjtë e të rejat dhe profesionistët që kanë guximin të dalin atje.
Rebelohuni ndaj kësaj parie! Jepini kësaj parie reston që meriton, sepse ata meritojnë që të tërhiqen zvarrë. Këta nuk meritojnë që të merreni shumë me fjalë. Këta meritojnë që këtyre t’ju hiqet në momentin më të parë çdo e drejtë për të ushtruar pushtet dhe kjo punë bëhet duke mbështetur ata njerëz. Për çfarë ta bëjmë këtë? Është pyetja e fundit. Ta bëjmë këtë të gjithë bashkë për të ndërtuar një sistem të ri. Një sistem që nuk do të jetë perfekt, një sistem që do të ketë edhe ai defektet e veta, por ama do të jetë i nisur nga shqiptarët për shqiptarët. Do të jetë një shtet i cili do të bëjë shtrëngesa ndaj të gjithkujt, edhe ndaj nesh, edhe ndaj teje që do dalësh të protestosh. Pra do dalësh, do protestosh për një shtet që do të të shtrëngojë nesër, por kjo lloj shtrëngese, nëse bazohet tek kombi shqiptar – pra kemi një shtet dhe një komb, shtet-kombin shqiptar – do të jetë pastaj instrumenti më i qartë drejt një jete, ose pjese të mbetur të jetës ose të brezave të ardhshëm, që të jetojnë me nder, që të kemi një ekonomi normale, që mos ta lejojmë sindikatën ndërkombëtare të krimit ta gllabërojë të gjithë Shqipërinë.
Ky është momenti i fundit. Përtej kësaj do të dënohemi. Nëse ju nuk i mbështesni ata të rinj e të reja, nëse ju nuk bëheni shpatulla e tyre, nëse nuk u dilni krah për krah, atëherë ky do të jetë shansi i fundit për disa breza. Shansi tjetër nuk dihet se kur do të vijë. Mund të vijë kur asnjëri prej nesh mos të jetë më gjallë. E deri atëherë do të ketë shumë vuajtje për të gjithë këta breza të rinj.
Do të ketë shumë vuajtje për të gjithë ju që mendoni se keni fituar diçka, se mendoni se keni vendosur një qetësi në jetën tuaj, një stabilitet, një qëndrueshmëri; por që paria e Tiranës po jua thith gjakun pa u ndjerë nga brenda dhe që ju trajton sikur të jeni asgjë, sikur të jeni skllevër, bile edhe më pak se skllevër, dhe ju thotë që Vlora e gjithë Shqipëria është qytet ndërkombëtar dhe ju jeni vetëm të ftuar në vendin tuaj. Mendojeni këtë punë dhe analizojeni këtë që sapo thashë dhe shihni nëse kjo që them unë e pasqyron realitetin bazuar në atë që ju tregova, në atë videon që ishte video reale e kryeministrit por që është mendësia e gjithë parisë së Tiranës. Thënë kjo, do ta mbyll me shprehjen e protestuesve: “Shqipëria e shqiptarëve, atë që meritojnë tradhtarëve!”. Dhe deri herën tjetër, deri në episodin tjetër, ju faleminderit, ditën e mirë!”, tha ndër të tjera Grid Rroji.
