Gjykata e Lartë vendosi arrest në burg pë Erion Veliaj.

Edi Rama Erion Veliaj
15 Shtator 2026
Gjykata e Lartë vendosi të martën më 15 shtator lënien në fuqi të masës së sigurimit “arrest në burg” të caktuar më parë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Çështja u shqyrtua në dhomë këshillimi dhe arsyetimi i trupës gjyqësore nuk është bërë ende me dije për mediat.
Gazetarja e TCH, Anila Hoxha, raporton se tre gjyqtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë kanë vendosur në mënyrë unanime, me rezultatin 3-0, për lënien në fuqi të vendimit e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt.
Duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, Gjykata e Lartë ka pranuar edhe arsyetimin e këtij të fundit sa i përket proporcionalitetit të masës së sigurisë.
Apeli kishte argumentuar më herët se masa e vendosur ishte proporcionale me rrezikshmërinë e veprave penale për të cilat dyshohet Veliaj.
Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se veprat penale për të cilat dyshohet subjekti paraqesin rrezikshmëri dhe kishte renditur një sërë rrethanash që, sipas saj, justifikojnë vijimin e masës së sigurisë.
Apeli kishte marrë në konsideratë rrethanat rënduese të pretenduara, përfshirë:
-kryerjen e veprave penale në bashkëpunim dhe më shumë se një herë;
-vlerën e lartë të produktit të veprës penale të dyshuar si të pastruar;
-rrezikshmërinë e kërkuesit, e lidhur jo vetëm me natyrën e veprave penale, por edhe me sjelljen e të dyshuarit pas zbatimit të masës së sigurimit;
-statusin e tij si subjekt i posaçëm dhe funksionar publik;
-si dhe ekzistencën e të tria kushteve të veçanta të parashikuara nga neni 228, pika 3, i Kodit të Procedurës Penale.
Këto tre kushte lidhen me rrezikun e prishjes ose helmimit të provave, rrezikun e ikjes dhe rrezikun e kryerjes së veprave penale të të njëjtit lloj me ato për të cilat personi procedohet.
SYRI.net
