27 Korrik 2023

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar sot Asamblenë e Partisë Socialiste, ku u vendos që Damian Gjiknuri të shkarkohej nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të PS.

Sipas Berishës, Gjiknuri është i përfshirë në dy afera dhe është në në hetim kombëtar për aferën e inceneratorëve dhe në hetim ndërkombëtar për aferën McGonigal.

“Gjiknuri është një kufomë politike e pakallur me dy hetime të tmerrshme, një kombëtar dhe një ndërkombëtar. Është në hetim kombëtar për aferën e inceneratorëve, por në një vepër penale bashkautor me Edi Ramën dhe shpejt do e sjellin këtu, Gjiknuri është në hetim ndërkombëtar për aferën McGonigal, dhe Edi Rama kujton se do e kalojë Lanën duke hedhur Gjiknurin. Jo, do bjerë vetë.

Çështja McGonigal i rri si shpatë Damokleu.

Asambleja më shumë foli me dyert e mbyllura të saj.

Të dashur qytetarë dhe qytetare. U mblodhën si në bodrum se kanë frikë dhe tmerr nga ju. Jo vetëm ju, por edhe anëtarësia e PS. Nuk ndjejnë asnjë detyrim ndaj saj. Tani me moton erdhëm, vodhëm, ikim, ata nuk pyesin për asnjë njeri.

Ndaj dhe ka vetëm një zgjidhje dhe kjo zgjidhje është në duart tuaja. Kjo zgjidhje nuk është në duart e askujt tjetër përveç njerëzve të lirë, njerëzve idealistë që vendosin të përballen dhëmbë për dhëmbë me këtë mafie të rrezikshme dhe t’i japin përgjigjen që meriton.

Unë kam besim se së shpejti, shqiptarët do flasin me zërin e tyre”, tha Berisha.