– Si zbuluam kontrabandën dhe fabriken e cigareve në Librazhd. –

Gazetarja e hetimit: – Si zbuluam kontrabandën dhe fabriken e cigareve në Librazhd. –

Gazetarja Lindita Çela, një nga autoret e artikullit mbi kontrabandën e cigareve të prodhuara në Librazhd, publikuar nga BIRN tregon në këtë intervistë për DITA, detajet e një hetimi  që ka zgjatur rreth 1 vit.

“Uroj shumë që ky investigim të jetë një indicie e mirë dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore për gjithsecilin prej hallkave të përfshira” – thotë Çela, e cila tani punon në kanalin TCH.

Më poshtë, intervista e gazetares me kolegun Erion Habilaj të DITA.

-Lindita, keni publikuar si bashkautorë një investigim në lidhje me kontrabandën e cigareve. Si ratë në gjurmë të kësaj shkelje dhe prej sa kohësh merreni me këtë investigim?

Hetimi për  kontrabandën e cigareve në Shqipëri, nisi një vit më parë, në kuadër  të një hetimi më gjithëpërfshirës  të bërë nga një grup gazetarësh të rrjetit investigativ ballkanik. Sigurisht që kur nisi puna,  unë as  nuk dija se fabrika e cigareve në Librazhd funksiononte jo më që në këtë qytet të vogël të prodhoheshin cigare e një marke krejt të panjohur në Shqipëri, por shumë të njohur në tregun e Lindjes së mesme dhe në Afrikë.

Indicie të vetme kisha që doganat shqiptare deklaronin se Shqipëria  eksporton cigare në Libi. Nga këtu nisi e gjithë puna për të gjetur kush i prodhonte dhe çfarë lidhjesh kishim me Libinë. Mbi të gjitha për të kuptuar përse Shqipëria eksportonte duhan në një vend kaq të largët, si Libia. Duhet të keni parasysh që kur them një vit, duhet të kuptoni se çdo e dhënë që sigurohej në Shqipëri verifikohej edhe me kolegët e tjerë që ndiqini po këtë temë jo vetëm në vendet e Rajonit por dhe atë të lindjes së mesme.

-Cilat shtete janë duke e hetuar këtë çështje, dhe çfarë është bërë konkretisht në Shqipëri?

Nëse e keni fjalën për hetime nga ana insitucionale, si prokuroria apo organet e tjera ligjzbatuese, ne presim të ndodh pas publikimit të shkrimit.  Ndërsa gazetarët që janë marrë me hetimin janë në Kosovë, Malin e Zi, Maqedoni , Serbi Libi, Afrikë, Egjipt dhe Amerikë. Sa i përket Shqipërisë, ajo që unë di zyrtarisht është se prokuroria ka rihapur çështjen, por nuk di se ka hapa konkretë nga ana e saj që do të çonte këtë radhë në një finalizim të suksesshëm të hetimit.

– Ka patur reagime pas publikimit të shkrimit?

Jo.

-Ku ndodhet fabrika që prodhon cigaret dhe çfarë ndodh me të momentalisht?

Fabrika ndodhet në Librazhd, në të njëjtën ambiente që dikur këtë fabrikë e ka pasur ish -biznesmeni  shqiptaro maqedonas Vehbi Velia. Në fabrikë po punohet.

-Në shkrim përmendni po ju citoj edhe “gruan e një figure të rëndësishme në PS”. Cila është ajo dhe çfarë lidhje ka në këtë histori?

Besoj se pyetjen e keni për agjencinë doganore Ujori. Bëhet fjalë për kompaninë qe e drejton bashkëshortja e kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.

– E keni kontaktuar ju dhe si ka reaguar ajo?

Sigurisht që kam kontaktuar dhe zonja Sejdini ka shpjeguar rolin e saj në  hartimin e  dokumenteve ligjore për kompaninë Albania Tabak, e cila prodhon edhe cigaret Kleopatra.

-Po bashkëshorti i saj, ka lidhje me këtë histori? E e ka ndihmuar influenca e bashkëshortit të saj?

Nuk mund të komentoj për fakte që nuk i kam zbuluar.

-A ka institucione shtetërore që ndihmojnë në këtë kontrabandë?

Ka institucione që kanë pezulluar hetimet  edhe pas sinjalizimeve të bëra nga Ambasada Angleze. Unë besoj se institucionet ligjzbatuese në Shqipëri kanë stafe më të specializuar për të hetuar apo verifikuar çdo procedurë ligjore, çdo transaksion të kryer, njerëzit e implikuar, në mënyrë që të kemi një përgjigje edhe për  pyetjen tuaj. Uroj shumë që ky investigim të jetë një indicie e mirë dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore për gjithsecilin prej hallkave të përfshira.

– Si zbuluam kontrabandën dhe fabriken e cigareve në Librazhd. –

Gazeta  Dita.