Fushë-Arrëz, qyteti mbetet pa shërbime bankare

Prej tre vjetësh, banka e vetme e pranishme në qytet mbylli degën e saj për arsye të mungesës së leverdishmërisë ekonomike. Për 11 mijë banorët e bashkisë së vogël në veri të Shqipërisë, kryerja e veprimeve të zakonshme bankare, si dorëzimi i një borderoje, kërkon një udhëtim prej 20 kilometrash deri në Pukë.

Autor: Bashkim Shala |

Një herë në muaj, Dritan Lika, kryetar i degës së Financës në Bashkinë Fushë-Arrëz, duhet të udhëtojë nga qyteza e Fushë-Arrëzit deri në Pukë, rreth 20 kilometra në perëndim, për të dorëzuar borderonë e pagave të 215 të punësuarve të kësaj bashkie të vogël me 11 mijë banorë. Arsyeja është se prej tre vjetësh, banka e vetme që ofronte shërbime në këtë qytet, Raiffeisen, ka mbyllur degën.

Tërheqja e bankës nga qyteza pasoi mbylljen e fabrikës së pasurimit të bakrit në qytezën e Fushë-Arrëzit bashkë me minierat përreth, gjë që jo vetëm shtoi problemet e shumta sociale të kësaj zone të varfër malore, por hoqi edhe shërbimin bankar për të punësuarit e paktë të sektorit publik e atij privat.

Anomalia e mungesës së një dege banke ka shtuar kostot dhe kokëçarjet e qytetarëve edhe ashtu të varfër të bashkisë së Fushë-Arrëzit. Disa qindra punonjës të bashkisë, zyrës arsimore dhe punonjës të shëndetësisë në zonë, duhet udhëtojnë për në Pukë dhe të presin me orë të tëra në radhë për të kryer qoftë edhe një veprim të vogël bankar.

Bizneset e vogla po ashtu u duhet të lënë ditët e punës për të kryer pagesa të detyrueshme për të përmbushur kontratat apo paguar taksa e tatime.

“Ka vetëm një bankomat i cili punon një ditë në javë vetëm kur furnizohet me para të cilat mbarohen shpejt, brenda ditës”, i tha BIRN Dritan Lika, kryetar i Degës së Financës në Bashkinë Fushë-Arrëz. Lika shtoi se problemet preknin punën e tij dhe një sërë zyrave të tjera të pushtetit vendor, ndërsa kërkesat e tyre të vazhdueshme pranë qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë kanë mbetur pa përgjigje.

Filiali i Raiffeisen Bank, i vetmi që funksiononte në qytezën e Fushë-Arrëzit, është mbyllur që nga shtatori i vitit 2016 bashkë me fabrikën e bakrit.

Ndërkohë që Raiffeisen Bank nuk e ka ndërmend të kthehet në Fushë-Arrëz. Zyrtarisht banka i tha BIRN se vendimi për mbylljen ishte marrë pas “analizave të vazhdueshme të indikatorëve të biznesit”. Banka tha se klientët nga qyteza mund t’i merrnin shërbimet në Pukë ose në Shkodër dhe e cilësoi të mjaftueshëm praninë e bankomatit.

“Shërbimi i ATM-së në qytetin e Fushë-Arrëz-it vazhdon të jetë funksional, në mënyrë që klientët e bankës të kenë akses të plotë në tërheqjen e vlerave monetare”, thuhet në një e-mail që banka i solli BIRN.

Banka e Shqipërisë mohoi të kishte marrë ankesa nga qyteti, ndërsa tha se nuk mund të ndërhynte në vendimmarrjen e bankave të nivelit të dytë. “Shtrirja gjeografike e një banke është çështje e politikave të saj të brendshme”, tha BSH përmes një e-maili në përgjigje të pyetjeve nga BIRN. BSH duke iu referuar Postës Shqiptare thotë se qyteza ka shërbime financiare alternative.

Kostot mbi buxhetorët dhe bizneset

I vetmi shërbim bankar në qytezë është një bankomat i instaluar pranë ish-bankës, i cili sipas klientëve më shumë është jashtë funksionit. “Kanë heqë edhe gjeneratorin. Kur fiken dritat nuk punon bankomati”, tha Dritan Lika, ndërsa shpjegon se paratë në bankomat mbarojnë që në fillim të javës.

Sipas tij ata që preken më shumë nga mungesa e shërbimit bankar janë punonjësit e bashkisë së Fushë-Arrëzit, ku rreth 215 punonjës të kësaj bashkie, janë klientë të Raiffeisen Bank dhe të gjitha veprimet detyrohen t’i kryejnë në qytetin e Pukës, rreth 20 kilometra larg nga Fushë-Arrëzi.

Sipas kryetarit të degës së Financës në Bashkinë Fushë-Arrëz, në këtë rast po shkelet edhe ligji që punonjësi të zgjedhë bankën që do. “Më duhet të pres në radhë si qytetar i zakonshëm në Bankën e Pukës kur çoj borderotë e pagesave përfshirë edhe të atyre personave me ndihmë ekonomike. Kalojnë pagat, vjen konfirmimi me telefon, por nuk ka para bankomati. Klientët kanë frikë edhe të telefonojnë”, thotë Lika.

Mungesa e shërbimit bankar ka krijuar probleme edhe për ujësjellësin. “Jemi detyruar të thyejmë ligjet dhe rregullat për ruajtjen e vlerave monetare për sa i përket arkës së ujësjellësit. Arkëtares me ligj i duhet të derdhë çdo ditë paratë në bankë, por ne e kemi kthyer një herë në javë dhe në këtë ditë nuk funksionin arka e ujësjellësit. Kjo ka larguar qytetarët nga pagesa”, thotë në vijim Dritan Lika.

Problem të ngjashëm kanë edhe rreth 140 mësues dhe staf shërbimi në bashkinë e Fushë-Arrëzit. “Të gjithë mësuesit janë klientë të Raiffeisen Bank”, thotë për “BIRN” Nikolin Prenga, përgjegjës i Zyrës Arsimore në Pukë. Mësuesit për t’u pajisur me kartë apo tërhequr pagën në ditë që nuk ka para në bankomat duhet të lënë mësimin për të shkuar në degën e bankës Raiffeisen në Pukë duke shkaktuar anomali në zhvillimin e mësimit në shkollat e Bashkisë së Fushë-Arrëzit.

Të njëjtën gjë tha për “BIRN” edhe drejtoresha e e shkollës 9 vjeçare “Pjetër Arbnori”-Fushë-Arrëz Lizë Voci. “Bankomati del jashtë funksionit kur mungon energjia elektrike. Në bankë në Pukë nuk përfundon punë për tre ose katër orë për shkak të ngarkesës. Ky është një problem mjaft i madh për arsimin. Raportoj çdo ditë për mungesën e mësuesve pranë Zyrës Arsimore për shkak se shkojnë në Pukë për të kryer veprimet bankare”, thotë për “BIRN” drejtoresha Voci.

Ndërkohë që të njëjtat probleme vlejnë edhe për 125 punonjës shendetësor të Fushë-Arrëszit që e marrin rrugën për në Pukë për të kryer veprimet bankare si dhe për rreth 100 punonjës të fabrikave të ujit në Lajthizë, Qafë-Mali e Fushë-Arrëz dhe për 40-50 punonjësit e mbetur të fabrikës së bakrit.

Në Fushë-Arrëz nuk ka as shërbim MoneyGram. Kështu që emigrantët nuk kanë mundësi të transferojnë paratë në Fushë-Arrëz, por vetëm në Pukë, ndërkohë që të afërmit e tyre për të tërhequr paratë e dërguara nga emigrantët u duhet të udhëtojnë.

Mungesa e shërbimit bankar ka krijuar problem të ngjashëm për studentët dhe prindërit e tyre. “Kemi problem me transferimin e parave për fëmijët që i kemi studentë në Tiranë apo Shkodër. Për t’u dërguar para fëmijëve duhet që t’i nisim me shoferët e furgonëve kundrejt një pagese prej 200 lekësh, ndërkohë që edhe fëmijët tanë humbin mësimin duke ndjekur furgonin nëpër stacione në periferi të Tiranës”, thotë për “BIRN” Nazmie Veliu, mësuese në shkollën 9 vjeçare “Pjetër Arbnori”-Fushë-Arrëz.

Oltion Çoba, i cili tregton shërbimet e një sërë kompanive celulare apo të ngjashme, thotë për “BIRN” se i duhet minimalisht të shkoj tre herë në javë në Pukë për të kryer veprimet në bankë për vetë natyrën e biznesit tij. “Më duhet tre herë në javë të shkoj patjetër në Pukë për të kryer veprimet. Kam natyrën e biznesit që duhet të bëj derdhje në bankë, pasi kështu i kam kontratat”, tha Çoba.

Ai tha se harxhon karburant shtesë, humb orë të vlefshme pune dhe i duhet ta bëjë këtë 3-4 herë në javë.

Pjetër Qafa i cili ka në zotërim një hotel dhe një restorant në qendër të Fushë-Arrëzit, thotë se i janë krijuar probleme për të paguar. “Kam probleme me shërbimin bankar që ka të bëjë me pagesat e sigurimeve shoqërore për punonjësit dhe ato të kësteve të kredisë”, thotë për “BIRN” Pjetër Qafa.

Anomalia mbetet pa zgjidhje

Për mungesën e shërbimit bankar, bashkia e Fushë-Arrezit i është drejtuar edhe qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë.

“I jemi drejtuar për këtë problem Bankës Shqipërisë, ministrisë Financave dhe për dijeni kryeministrit Edi Rama, por pergjigja ka qenë “Është bankë private”. Të njëjtën gjë na ka pohuar pas ankesave edhe deputetja e qarkut tonë dhe ish zv/kryemnistrja Senida Mesi”, thotë kryefinancieri i bashkisë Fushë-Arrëzit, Dritan Lika.

Kryetari i bashkisë Fran Tuci, tha se asnjë nga bankat e tjera nuk kishte shfaqur interes të hapte shërbim të tillë në qytezë.

Ndërkohë Raiffeisen thotë se nuk mund ta mbante hapur filialin në Fushë-Arrëz. Sipas bankës “Marrëdhëniet me klientët e qytetit Fushë-Arrëz sipas kontratave aktuale me Bankën Raiffeisen përmbushen plotësisht nëpërmjet Degës Pukë, Degës Shkodër ose në çdo degë ose agjenci tjetër të rrjetit të Raiffeisen Bank”. Ajo po ashtu thotë se ofron shërbime on-line për klientët individë dhe biznese.

Ndërsa Banka e Shqipërisë tha se nuk ka pasur ankesa “nga qytetarë për mungesën e shërbimit bankar në Fushë Arrëz, ndërsa ka komunikuar mbi mungesën e shërbimit bankar me Kryetarin e Bashkisë së Fushë Arrëzit në vitin 2016”.

BSH i tha BIRN se situata nuk mund të zgjidhej prej saj dhe “Shtrirja gjeografike e një banke është çështje e politikave të saj të brendshme të zhvillimit (të planit të saj të biznesit dhe të strategjisë) si dhe objekt vendimmarrje e organeve drejtuese të bankës”.

Ajo vuri në dukje se nuk kishte parashikime ligjore për të ndaluar mbylljen e degëve jo rentabël të bankave apo kufizimin e rrjetit të tyre. Megjithatë sipas BSH prania e Postës Shqiptare si subjekt financiar jo-bankë mundëson sigurimin e disa shërbimeve financiare si pagesat e pensioneve. Po ashtu Banka e Shqipërisë thotë se kishte dijeni për degë banke që operonin në Pukë. “Ndërkohë, në dijeninë tonë ka banka të cilat operojnë nëpërmjet degëve të tyre në qytetin e Pukës”, thuhet në e-mail.

Nga: Reporter.al