31 Mars 2026
Me fillim prej orës 20:45 sonte Kosova pret Turqinë në “Fadil Vokrri”. Ëndrrën shumëgjeneratëshe “dardanët” mund ta realizojnë sonte. Në rast të fitores, Kosova kualifikohet në Kupën e Botës në futboll që sivjet mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë. Çdo gjë rreth kësaj ndeshjeje, para, gjatë dhe reagimet pas saj do të mund t’i përcillni këtu. Artikulli përditësohet në vazhdimësi e KOHA ju fton që edhe ju të bëheni pjesë e kësaj dite historike – dërgoni në info@koha.net ose në Facebook video që tregojnë se si po e përcillni ndeshjen

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 

Duka i uron suksese Kosovës. Ndoshta sot mund të ishim dy

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u ka uruar suksese futbollistëve të Kosovës në ndeshjen finale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026 kundër Turqisë.

Ndeshja zhvillohet sonte nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Ndoshta sot mund të ishim dy… por edhe kështu, jemi një. Me krenarinë që na dha Shqipëria dhe shpresën që na jep Kosova. Forca djemtë tanë!”, shkruan Duka në rrjetet sociale. Duka ka postuar fotografinë e festës së lojtarëve të Kosovës pas fitores 4:3 në gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Botërorin e këtij viti ndaj Sllovakisë të enjten e kaluar në Bratislavë.