12 tetor 2026

Ekspertja e ekonomisë, Romina Radoshniqi, e ftuar në emisionin “Aldo Morning Show”, ka ngritur shqetësimin për qytetarët që planifikojnë të marrin kredi për blerjen e një banese, në kushtet e çmimeve të larta të shtëpive dhe qirave.

Teksa Banka e Shqipërisë ka sinjalizuar mundësinë e një politike monetare më shtrënguese, gjë që mund të rrisë interesat, ekspertja thekson se problemi më i madh është për ata që planifikojnë të marrin kredi për shtëpi në këtë periudhë.

“Mendoj që ato që kanë marrë nuk duhet të shqetësohen aq shumë sepse kanë një tjetër llogaritje. Megjithatë më shumë problematike është për ata të cilët do të marrin një kredi për shtëpi. Dhe ne kemi një rritje të kredive konsumatore, por dhe kredive për shtëpi, dhe kjo është një sinjal jo faktit që shqiptarët kanë shumë para, por faktit që shqiptarët kanë nevojë fizike, se strehimi është fiziologjik, pra është nevojë bazë. Nëse s’ke një shtëpi e ke të vështirë, dhe shumë shqiptarë kanë zgjedhur, le të thejmi, zgjidhjen më të zgjuar që të blejnë një shtëpi dhe mos të paguajnë qira, se dhe qiratë janë me çmime tepër të larta”, tha ajo.

Radoshniqi theksoi se marrja e kredive për të përballuar shpenzimet mujore mund të shtojë rrezikun financiar për familjet, veçanërisht kur pagat janë të ulëta dhe kostoja e jetesës mbetet e lartë

“Ne marrim borxh për të ruajtur mundësisht standardin e jetesës, ne marrim borxh për të investuar më së shumti në pasuritë e patundshme dhe kredia konsumatore që në të vërtetë na kushton, por ne e kemi tepër të nevojshme në fakt për të mbyllur muajin. Dhe kjo është një tregues jo i rritjes së besimit në ekonomi, por i edukimit financiar, që në momentin që ne nuk kemi para të mjaftueshme, atëherë i drejtohemi me kredi, sidomos në rastin e marrjes së shtëpisë. Se pastaj për kredinë konsumatore kjo është një problem tepër i madh, sepse imagjinoje, standardi i ulët i jetesës, kemi kosto të larta jetese, paga të ulëta, marrim dhe kredi, i bie që ne kemi një nivel tepër të lartë risku për të qenë të varfër”, tha ajo.

/tvklan.al