Eksperti i OKB: – Gazeta zvicerane ka shpifur, Lulzim Basha s’ka qenë me mua në Shtëpinë e Verdhë

Nga Habjon Hasani

Në vitin 2010 sapo kisha nisur punë në gazetën “MAPO” të Henri Çilit, isha gazetar në atë që u quajt “sektori i investigimit”, ndonëse shumë shpejt u bë e qartë se të investigoje në një gazetë pro-qeveritare siç ishte MAPO, ishte pretendim naiv.

Në Dhjetor 2010 një publikim në gazetën zvicerane “Le Tiemps” bëri shumë bujë në Tiranë. Kjo gazetë kishte intervistuar një ekspert të OKB-së të quajtur Jose Pablo Baraybar, ndërsa ky i fundit ishte antropolog dhe hetues në misionin te “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri. Raporti i Dick Martyt e pretendonte këtë shtëpi si një bazë të UÇK-së ku ishin kryer transplante ç’njerëzore me organet jetike të pengjeve serb.

Në shkrimin e gazetës zvicerane, eksperti Baraybar citohej sikur të kish thënë se gjatë hetimeve që kishte kryer në “Shtëpinë e Verdhë” shoqërohej nga Lulzim Basha si përkthyes.

Në ato kohë pata një komunikim me mikun tim Auron Taren të cilit i thashë se synoja të intervistoja direkt ekspertin. Që të jem i sinqertë pritshmëritë e mia ishin që Baraybar të më jepte dhe më tepër detaje mbi rolin e Lulzim Bashës dhe duke pasur merakun mos intervista nuk do publikohej në gazetën “MAPO”, i kërkova Auronit që të ndërhynim diku tjetër për publikimin e intervistës në rast se do bllokohej.

Auroni më tha që ishte e vështirë që eksperti të pranonte të fliste sepse historia ka shumë gjasa që të jetë e sajuar. “Nuk besoj fare te historia e Shtëpisë së Verdhë, shteti serb punon si makinë qepëse, Dick Marty punon për ta, s’besoj se ka ndonjë lidhje Luli, gjithsesi mirë është të sqarohet ajo që kanë shkruar zviceranët”, – më tha Auroni.

Më ngjau sikur Auroni ja fuste kot dhe me mendjen time kisha pritshmëri të tjera, nëse eksperti Baraybar do pranonte të intervistohej “do e fundosja Lulin”.

E kontaktova ekspertin në Facebook i thashë kush isha dhe pse e kontaktoja dhe i shpreha synimin për ta intervistuar. Në chat-in e Facebook-ut më nisi direkt adresën e tij të e-mail-it dhe më tha që t’i dërgoja pyetjet. Ja nisa menjëherë.

Përgjigja erdhi diku pas një ore, ndërsa pritshmëritë e mia u shkërmoqën porsa e lexova.

Eksperti i OKB-së Jose Pablo Baraybar mohoi kategorikisht të ishte shprehur për gazetën zvicerane “Le Tiemps” se kur kishte vizituar “Shtëpinë e Verdhë” ai shoqërohej nga Lulzim Basha.

Eksperti i OKB – Gazeta zvicerane ka shpifur, Lulzim Basha s’ka qenë me mua në Shtëpinë e Verdhë

“Unë kurrë nuk kam thënë dhe e përsëris, kurrë, se zoti Basha ishte me mua në Shtëpinë e Verdhë. Nëse kjo është botuar ka qenë një citim i gabuar.”, – u përgjigj eksperti duke demontuar me një fjali gjithë tymnajën e ngritur në Tiranë.

Mbaj mend se pasi u publikua kjo intervistë në MAPO, të nesërmen në mëngjes më erdhi një SMS nga Auron Tare i cili më shkruante: “Shumë e mirë intervista, por unë të thashë që ja fusin kot, është lojë e serbëve”.

Pasi u publikua kjo intervistë e ekspertit në MAPO, u shfry tullumbacja e gazetës zvicerane dhe mediat e injoruan këtë temë.

Sot, 10 vite më vonë, konstatoj që për kulisat politike të ditës, në media është rikthyer artikulli i gazetës zvicerane “Le Tiemps”, ku zyrtarë të rëndësishëm të Rilindjes dhe media pranë tyre, citojnë shkrimin e një gazete zvicerane i cili në fakt është përgënjeshtruar dhe ka dalë “huq” që para 10 vitesh.

Kjo është arsyeja që sot publikojmë në Hashtag.al të plotë intervistën e Dhjetorit 2010 me ekspertin e OKB-së, jo thjesht për të thënë të vërtetën, por edhe për të demontuar një sulm të pistë dhe dallkauk ndaj Lulzim Bashës, bazuar në një shkrim të pavërtetë të një gazete zvicerane.

Gazeta Mapo.