EKONOMI: “Deri në fund të vitit, 100 mijë të papunë”. – Parashikime të zymta të vetë qeverisë për tregun e punës në relacionin e projektbuxhetit 2021

25 tetor  2020

Qeveria parashikon se në fund të këtij viti, pandemia mund të krijojë afro 100 mijë të papunë në ekonominë e vendit.

Parashikimet e zymta për tregun e punës janë bërë në relacionin e projektbuxhetit të vitit 2021, ku thuhet se niveli i papunësisë do të arrijë në 13.9% në fund të vitit.

Ndërsa gjatë vitit të ardhshëm trajektorja e papunësisë do të zbresë në 12.2%, në nivele të ngjashme me ato të vitit 2018.

Në gjysmën e parë të vitit pandemia dhe tërmeti krijuan 50 mijë të papunë, ndërsa shkalla e papunësisë në rang vendi u rrit në 11.9%.

Kjo shifër parashikohet të rritet me 2 pikë përqindje deri në fund të vitit.

Gjatë periudhës së sezonit të verës tregu i punës mori një rigjallërim për shkak të turizimit, por mbyllja e tij në këtë periudhë dhe rëniet e shitjeve me jashtë kanë krijuar parashikime pesimiste për përmirësim.

Probleme priten edhe me pensionet dhe pagesat e asistencës pasi të ardhurat nga Sigurimet Shoqërore të të punësuarve pritet të tkurren këtë vit me 120 milionë dollarë krahasuar me planin e fillimit të vitit.

Ato të vitit 2021 do të jenë në nivele të ngjashme me vitin 2018 duke shënuar një kthim pas të ekonomisë të paktën me 3 vite.

j.l./ dita