Eklipsi i rrallë diellor sjell “bum” turistik në Spanjë, dhomat e hoteleve arrijnë 1.200 euro nata

29 Korrik 2026
Pothuajse gjysmë milion turistë po drejtohen drejt Spanjës për të parë një minutë e gjysmë errësirë.
Eklipsi diellor i 12 gushtit do të shfaqet i plotë në një brez rreth 300 kilometra të gjerë, që shtrihet nga Grenlanda dhe Islanda deri në Spanjë e Portugali. Në Itali, Hëna do ta mbulojë diskun e Diellit vetëm pjesërisht, rreth 50%.
Megjithëse fenomeni zgjat shumë pak, vetëm 90 sekonda errësirë të plotë fakti që ndodh pranë festës së Ferragostos po lëviz qindra mijëra turistë, sidomos drejt vendeve të Gadishullit Iberik. Atje, rezervimet, me turistët kinezë në krye, kanë nisur të shtohen që një vit e gjysmë më parë dhe një dhomë hoteli tashmë kushton deri në 1.200 euro nata.
Që nga viti 1905, Spanja nuk ka përjetuar errësirë në mes të ditës. Megjithatë, tani mund të presë tre eklipse të plota diellore gjatë tre viteve të ardhshme.
Ai i 12 gushtit do të zhvillohet mes orës 19:30 dhe 21:17. Mbivendosja e Diellit dhe Hënës do të jetë graduale, ndërsa faza e eklipsit të plotë do të zgjasë vetëm një minutë e gjysmë.
Gjatë kësaj kohe, temperaturat do të ulen dhe yjet do të bëhen të dukshëm në qiell. Eklipset e radhës do të ndodhin më 2 gusht 2027 dhe më 26 janar 2028.
