30 Shtator 2025

Biznesmeni italian Edoardo Sarchi, i vrarë në Tepelenë pabesisht mbrëmjen e të premtes, u varros në Tiranë, vendin ku jetoi e punoi prej më shumë se 20 vitesh dhe krijoi familjen e tij me partneren shqiptare.

Ceremonia mortore është zhvilluar të dielën. Mes dhimbjes, 44-vjeçari u përcoll për në banesën e fundit në praninë e rreth 150 personave, familjarë, miq, e bashkëpunëtorë të tij. Sarchi do të prehet përgjithmonë në varrezat e Tufinës.

Edoardo Sarchi mbërriti nga Italia në vendin tonë në fillim të viteve 2000 e prej atëherë Shqipëria u shndërrua në shtëpinë e tij të dytë.

Në kryeqytet, Sarchi kishte ngritur një biznes, fabrikë tullash dhe vijonte rregullisht aktivitetin e tij prej sipërmarrësi. Ai nuk u largua kurrë nga Shqipëria, vendi ku ndërtoi biznesin dhe jetën e tij, ndërsa ikja e tij para kohe lë pas një boshllëk të madh për familjen dhe të afërmit.

Me bashkëshorten shqiptare, Edoardo Sarchi kishte 2 fëmijë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

      Si ndodhi ngjarja për dritat e makinës
      Zbardhet dinamika e plotë e vrasjes së Eduardo Sarchit, biznesmenit italian.

      Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se autori i dyshuar Kamber Sulçaj ishte duke udhëtuar për tek stalla e bagëtive në pronësi të tij që ndodhej mes fshatrave Nivicë dhe Bolenë.

      Në vendin e quajtur Lluf shkëmbehet me një automjet me karroceri me të cilën udhëtonte Gazmend Braçi me 3 shokët e tij.

      Ata debatojnë dhe konfliktohen verbalisht për shkak se Braçe mbante drita të gjata gjatë drejtimit të automjetit në errësirë.

      “Më verbove nga dritat e gjata, më hodhe në kanal”, mësohet se ka thënë Sulçaj, ndërsa më pas edhe i ka fyer Braçin e shokët e tij.

      Më pas, 4 personat janë nisur në drejtim të Salarisë ku Gazmend Braçi ka edhe banesën dhe në këtë moment autori i ka ndjekur nga pas dhe i ka parakaluar. Në një moment afër banesës automjeti që po përdorte Braçi, por që ishte në pronësi të një çobani, është prishur.

      Gazmendi ka telefonuar babanë dhe i ka thënë të vinte ta merrte pasi e ka lënë makina në rrugë.

      Babai i tij, Eqeremi është nisur me dy makina së bashku me biznesmenin italian Edoardo Sarchi, me të cilin po darkonte. Ata janë nisur për të marrë Gazmend Braçin dhe shokët e tij. Kur kanë mbërritur atje, autori ka qëlluar me armë zjarri. Biznesmeni italian ka marrë vetëm një plumb në kofshë.

      Për 15 minuta autori nuk i kanë lënë të largohen pasi qëllonte drejt tyre duke mos u lënë mundësi të bëjnë asnjë lëvizje. Kjo dëshmohet edhe nga personat të cilët me një motor për terrene malore, kanë kaluar në vendngjarje në këto momente.

      Më pas autori Kamber Sulçaj është larguar dhe makinën e ka fshehur në një fshat të thellë poshtë një peme.

      Biznesmeni italian Edoardo Sarchi nuk ka arritur të mbijetojë për shkak se plumbi i ka prekur arterien kryesore. Ai ka humbur sasi të mëdha gjaku për shkak të hemorragjisë.

      ©Nga: Balkanweb