3 Prill 2026

Në zemër të Saharasë algjeriane, pllaja e Tassili n’Ajjer fsheh një nga thesaret më enigmatikë të njerëzimit: mijëra piktura dhe gravura shkëmbore që datojnë deri në 12 mijë vite më parë.

Në to shfaqen skena të jetës së përditshme gjueti, valle, rituale, por edhe figura që duken jashtë çdo logjike: qenie gjigante, forma që “notojnë” në hapësirë, krijesa me brirë dhe objekte të çuditshme që ngjajnë me kërpudha.

Këto pamje kanë nxitur prej kohësh teori konspirative nga më të ndryshmet. Terreni i vështirë dhe labirintet shkëmbore vetëm sa e kanë shtuar misterin.

Por shkenca ofron një shpjegim më tokësor: pikturat janë krijuar nga komunitete të ndryshme përgjatë mijëra viteve, duke reflektuar ndryshimet nga jetesa e gjuetarëve tek ajo baritore, si dhe botëkuptimin e tyre shpirtëror.

Sot, kjo zonë e mbrojtur nga UNESCO mbetet një nga arkivat më të mëdha të artit prehistorik në botë, vend ku realiteti dhe imagjinata ndërthuren në mënyrë magjike.