Tensione të forta në PS për garën në Tiranë, Erion Braçe nis takimet me bazën socialiste, drejtuesit e njësisë 7…

3 Prill 2026
Nga: Rigels Seliman
Tensionet brenda Partisë Socialiste në Tiranë po marrin formë gjithnjë e më të dukshme, ndërsa gara për drejtimin e kryeqytetit duket se ka nisur në heshtje. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka hyrë në terren, duke zhvilluar takime të drejtpërdrejta me bazën socialiste, një lëvizje që shihet si sinjal i qartë i ambicies së tij. Pasi shpalli ambicien për kryetar të Bashkisë së Tiranës në njësinë 5, z. Braçe u ndal në Laprakë, në njësinë 11, takimi ky i cili u interpretua si një test i parë për të matur mbështetjen reale. Më pas ai vijoi në njësitë, 2 dhe 4 në Bashkinë e Tiranës, duke ndërtuar një rrjet kontaktesh që lë të kuptohet për një strategji të menduar mirë. Por ndërsa disa dyer u hapën, një tjetër u mbyll papritur, duke shtuar hijet e intrigës politike. Gazeta “Sot” ka mësuar se njësia 7 në kryeqytet refuzoi ta presë Braçen, një veprim që nuk kaloi pa u vënë re në korridoret e politikës. Ky refuzim ngre pikëpyetje mbi përçarjet e brendshme dhe linjat e padukshme të ndarjes. Fakti që aty janë figura të rëndësishme të deleguara dhe drejtues lokalë si Etilda Gjonaj dhe Aldrin Dalipi, e bën situatën edhe më delikate. Por a ishte ky një mesazh i qartë kundërshtimi apo një sinjal për balanca të brishta pushteti? Lëvizjet e Braçes duken të kalkuluara, por reagimet tregojnë se rruga nuk do të jetë e lehtë. Në këtë lojë të heshtur, çdo takim dhe çdo derë e mbyllur mbart më shumë se sa duket në sipërfaqe. Dhe ndërsa gara ende nuk është shpallur zyrtarisht, përplasjet e para tregojnë se beteja për Tiranën ka nisur tashmë. Megjithatë mbetet të shihte në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë.
Braçe shigjeton Ramën
Nga ana tjetër, deputeti Erion Braçe ka komentuar daljen e Kryeministrit Edi Rama, në krahun e të cilit është shfaqur në dy takimet e fundit në njësitë 4 dhe 14, Ogerta Manastirliu. Braçe tha dje në “Top Story” se edhe ai do të ishte në këto dy mbledhje, por ishte i angazhuar diku tjetër. Po ashtu, deputeti socialist, i cili ka shpallur publikisht kandidaturën për Bashkinë e Tiranës, i pyetur nëse Rama ka reaguar, tha se deri më tani kryeministri nuk e ka kontaktuar. “Jo, kjo është një mbledhje normale. Unë në këtë njësi nuk kam qenë, sepse e kisha të pamundur të shkoja në Kashar, pasi isha në një mbledhje tjetër. Isha në Asamble, ku ishte zonja Manastirliu, dhe në orën 7 ishte mbledhja në Kashar, ndaj e kisha të pamundur të isha. Por isha në Asamble dhe unë zakonisht ulem në fund të sallës për të parë sesi është perceptimi i njerëzve dhe si e përjetojnë ata. Rama nuk ka bërë asnjë reagim, përveç diçkaje që është për mua… Unë nuk kam dalë me një njoftim: “Kërkohet Erion Braçe si kandidat për Tiranën”, por kam kërkuar një proces statutor brenda partisë, ndryshe nga ai i shtatorit të vitit të kaluar, që ishte vetëm një njoftim.. Unë nuk përfaqësoj një kandidat me një njoftim. Unë dua një kandidat, edhe ndryshe nga unë, që krijon një kohezion me njerëzit”, deklaroi Braçe.
Erion Braçe tregon çfarë ndodhi në Asamblenë e PS kur ai dha lajmin se do kandidonte për Bashkinë
Ndërkohë socialisti Erion Braçe ka treguar për herë të parë se frymëzimin për të shpallur kandidaturën për Bashkinë e Tiranës e ka marrë nga socialistët e Njësisë 5 në kryeqytet, të cilët e kanë mbështetur dhe duartrokitur. I ftuar në “Top Story”, ai tregoi se salla u çua në këmbë, përveç “Presidiumit”, që mesa duket nuk e ka pritur mirë. Këtu, tregoi ai, ka nisur gjithçka sepse ai nuk pret që Partia Socialiste të shuhet, por anëtarësia të reagojë. I pyetur nga Grida Duma nëse lëvizja e tij vinte si parandjenjë se është në mandatin e fundit si deputet, ai tha: “Mua nuk më shkon as për staturë edhe të mbaj armë. Jo nuk është fare kjo. Gjëja nuk ka nisur në media apo në kafene, ka nisur në Asamblenë e PS në Njësinë nr.5. Nën përgjegjësinë time politike dhe të paktën ka 1 vit që në atë asamble unë jam përpjekur të ushqej njerëzit të flasin.” “Kam lëvizur gjatë këtyre ditëve në këto mbledhje që po zhvillohen nëpër Tiranë dhe më vjen keq që nuk kam gjetur tek ato siç flitet te Njësia nr.5. Unë kam folur brenda asamblesë atje dhe ka arsye që më shtyn ta bëjë këtë: partia nuk mund të kthehet në një mur ku ngjiten kohë pas kohe njoftime për kryetar partie, për të deleguar, njoftime për kryetar bashkie, njoftime për të deleguar në qarqe. Jo, partia nuk mund të funksionojë kështu, për njoftime që ngjiten në mur. Sepse nëse vazhdon kështu, mund të vijë dhe ndonjë njoftim më i rënd, për fundin e partisë. Unë kam dashur ta thyejë këtë praktikë që bie ndesh me parimet e mia dhe të PS. E dyta, është Tirana, kryeqyteti. Unë jam deputet dhe kam parë se çfarë shkon e çfarë nuk shkon. Tirana as qeveriset dhe as vetëqeveriset. Unë e thashë dhe në mbledhjen e asamblesë që jeni ju nxitësit. Ata u çuan në këmbë dhe duartrokitën. Ishte e gjithë salla, me përjashtim të presidiumit”, u shpreh Erion Braçe. Deputeti socialist u shpreh publikisht se nuk ka marrë leje nga Edi Rama, duke shuar zërat e kritikëve se kandidatura e tij në një kohë kur kryeministri mbështet Ogerta Manastirliun, është thjesht për konsum publik. “Nuk kam marrë lejë për garën për Bashkinë e Tiranës, siç nuk kam marrë leje për qëndrimet e tjera, të cilat kanë qenë shumë të pastra. Kam gjetur veten në ato që kam thënë dhe i kam çuar deri në fund”, u përgjigj ai. Duke dëgjuar përgjigjet e tij, Grida Duma e pyeti se si ka mundur Erion Braçe të rezistojë deri tani, ndërsa deputeti socialist insistoi se të qenit pranë njerëzve, terrenit dhe të vërtetës, ai ka mundur të mbijetojë si kritik brenda Partisë Socialiste. “Unë jam thjesht deputet në PS, u bënë shumë vite, për pak javë bëhen 30, por i zgjedhur dhe jo i emëruar. Unë mendoj që Edi Rama e ka lejuar (disidencën e tij në PS) dhe nuk do vazhdoj të marrë leje, sepse ato që kam thënë kanë qenë të drejta dhe të vërteta. Kam thënë ato që vijnë nga territori, nga njerëzit. Por ka pasur dhe të tjerë brenda PS që kanë thënë gjëra të vërteta, të drejta, të lidhura me njerëzit dhe interesat e drejta”, vijoi Erion Braçe.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkaq kujtojmë se Erion Braçe shpall kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës ndryshe nga vendimi i kryetarit të PS dhe strukturave të Kryeqytetit që kanë shpallur emrin e Ogerta Manastirliut si kandidate për kryetare të Bashkisë në zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor në 2027. Deputeti socialist Erion Braçe ka bërë një lëvizje surprizë në skenën politike të kryeqytetit. Pak ditë para se të shpallte publikisht interesin e tij për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Braçe ka depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për të marrë informacion mbi aktivitetin e tij politik gjatë 25 viteve të fundit, që nga vitit 1996, kur garoi për herë të parë si deputet. Mësohet se socialisti ka depozituar më 24 mars në KQZ kërkesën për të marrë informacione lidhur me rezultatet që ai ka korrur përgjatë këtyre viteve. Kjo kërkesë e Braçes është pasuar më pas nga deklarata e bërë në Asamblenë e Partisë Socialiste të njësisë 5. Gazeta “Sot” bëri me dije më herët se ish-zv/kryeministri dhe deputeti socialist, po konsideronte kandidaturën për zgjedhjet lokale të vitit 2027, ndryshe nga vendimi i strukturave të Partisë Socialiste për të mbështetur Ogerta Manastirliun si kandidate për kryetare të Bashkisë. Ai ka njoftuar se do kërkojë mbështetjen e socialistëve në të gjithë Tiranën, dhe nëse nuk do të jetë kandidati zyrtar i Partisë Socialiste, nuk përjashton mundësinë për të kandiduar si kandidat i pavarur. “Siç e kuptuat dhe vetë kjo situatë nuk mund të jetë më e tillë. Nuk gjejnë zgjidhje problemet që kanë socialistët e ka nevojë për një organizim ndryshe. Ndaj në këtë situatë unë do dal të kërkoj mbështetjen e socialistëve jo vetëm të njësisë 5, por në gjithë Tiranën dhe nëse nuk do të jem kandidat zyrtar i PS, do të shpall kandidaturën si kandidat i pavarur për kryetar bashkie në Tiranë”, tha Braçe në mbledhjen e mbajtur.
