
Edi Rama në telashe, rihapet në SHBA dosja “McGonigal”, prokurorët amerikanë marrin në pyetje sërish ish-agjentin…
28 Qershor 2025
Dosja “McGonigal” është rikthyer sërish në vëmendjen e drejtësisë amerikane. Sipas gazetarit Robert Papa autoritetet federale në SHBA kanë rihapur hetimet dhe kanë marrë për herë të tretë në pyetje ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal. Sipas Papës, kjo dosje ka mbi 8 mijë faqe, të cilat duhet të ishin analizuar më herët, por që tani janë rikthyer në qendër të hetimeve.
Ai thekson se SPAK mund ta marrë si nga FBI, ashtu edhe nga gjykatat amerikane këtë dosje, dhe kjo situatë ka sjellë nervozizëm të dukshëm te kryeministri shqiptar. “Prokurori i Washington D.C. ka kryer intervistën e tretë me McGonigal në ambientet e burgut, sepse kanë hapur dhe njëherë dosjen nga e para. Kanë dalë fakte të reja. Ju kam thënë disa herë që dosja McGonigal ka 8000 faqe. Duhet ta kishte marrë Altin Dumani me kohë dosjen amerikane. Kam pasur një intervistë me Dan Friedman, gazetar i njohur i Mother Jones, i cili më ka thënë qartë që dosja mund të merret nga e FBI, por dhe dosja nga gjykata.
Kjo bën që Rama të jetë i nervozuar”, tha ai. Robert Papa shpjegon se ish-agjenti i FBI-së McGonigal do të hetohet si një potencial spiun rus, lidhjet e ngushta të kryeministrit shqiptar Edi Rama me oligarkët rusë do të dalin patjetër gjatë hetimit të thelluar. “Në qoftë se do të ketë hetim të thellë, edhe pse McGonigal do të hetohet si potencial spiun rus, përsëri lidhjet e Duçkës, Nezës dhe Ramës me oligarkët rusë do të dalin”, shprehet gazetari.
Injorimi i Ramës në Samitin e NATO
Papa shprehet se çështjet e ndjeshme dhe dyshimet për përfshirjen e Edi Ramës në korrupsion kanë sjellë dhe injorimin e tij nga të gjithë liderët në samitin e NATO-s. “Nuk kishte rastësi që u injorua nga thuajse të gjithë në samitin e NATO-s, edhe pse pretendon se është një mbret, por këtë radhë mbreti doli lakuriq. Ka shkuar me çarter privat, thuhet 35.000 euro, nuk ka transparencë.
Iku nga Manhattani pa paguar. Rama duhet të sqarojë kush ia pagoi. Me ligj kryeministri shqiptar nuk mund të pranojë dhurata më shumë se 50 dollarë. Por ata që i paguan 250.000 dollarë në aktivitetin politik përpara disa muajve në Manhattan, me sa duket e kanë marrë peng. Në qoftë se do të shikoni tek faqja e uebit të NATO-s për samitin e Hagës, liderë të ndryshëm europianë kanë pasur takime bilaterale. Bie fjala, Erdogan me Macron. Presidenti Trump pati me Zelensky-n. Asnjë takim i kryeministrit shqiptar.
Veshja e tij përsëri jo që nuk ishte serioze, por si sfiduese. Nuk mund të dalësh me atlete në foton zyrtare. Në darkën e ftuar nga mbreti dhe mbretëresha e Hollandës, në ambientet e mbretërore, ishte me këpucë, por përsëri nuk kishte veshjen e kostumit si të gjithë të tjerët me protokoll. Dhe ajo që krijoi ide të keqe kur ka folur zoti Trump te darka, të gjithë janë çuar në këmbë, Edvini jo. Natyrisht ai ka probleme të thella me kolonën kurrizore, ndaj mban dhe atlete. Ndaj sa herë që vjen në Manhattan, vizitohet në një klinikë. Ndaj çdo vit kur vjen në Manhattan përfundon në urgjencë. Kur nuk je mirë nga ana shëndetësore, mos shko. Mund të kishe dërguar dhe Bajramin. Sepse në fund të fundit na përfaqëson të gjithëve”, tha ai.
Nga ana tjetër, Papa shprehet se çështja “McGonigal” është shumë e thellë. “Rama ka disa përgjime dhe janë oligarkët e tij të cilët kanë paguar miliona dollarë sipas mediave amerikane, me trysninë që do të hiqeshin nga lista e zezë nga McGonigal, se ata silleshin sikur njiheshin prej shumë vitesh”, shprehet gazetari ndër të tjera.
Nga Gazeta Sot