27 Gusht 2025

Nga: Gazeta Dita

Një sherr i pazakontë ka ndodhur brenda godinës së Shërbimit Informativ Shtetëror në Elbasan.

Burime bëjnë me dije se dy protagonistët e sherrit janë E.L dhe Y.Ll, të dy inspektorë aktualisht në sektorin e Narkotikëve brenda këtij institucioni.

Më herët E.L., ka mbajtur edhe postin e drejtorit të Narkotikëve por më pas është larguar.

Dyshohet se shkaku i sherrit lidhet me transferimet në këtë drejtori që janë kthyer në një histori më vete, me të cilën “Vox” do t’ju njohë ditët në vijim.

Të njëjtat burime i thanë redaksisë se në Elbasan po përpiqen të kalojnë edhe ish-zyrtarë të tjerë të SHISH, duke ngritur habinë përse ky qark është kaq i preferuar.

Disa javë më parë në SHISH Elbasan, u transferuar një tjetër inspektor tek Narkotika, i cili njihet për miqësinë e tij me agjentin J.R., që punon aktualisht te SHISH Elbasan, në sektorin e narkotikëve.

Vëllai i këtij të fundit është i skeduar në Selanik për trafik droge, ndërsa kunati i është arrestuar me shtëpi bari në Holandë.

Burime brenda SHISH, theksojnë se problemi më i madh lidhet me kulturën e brendshme të SHISH dhe mënyrën si bëhen emërimet e transferimet.

Elbasani shihet si një qark strategjik për trafikun e drogës dhe rrjetet kriminale që e përdorin këtë zonë si nyje kalimi.

Përplasjet, lidhjet familjare me persona të skeduar për krim dhe mungesa e transparencës në përzgjedhjen e oficerëve rrezikojnë të dëmtojnë misionin e shërbimit sekret. / Vox News