Dueli i Ramës me Bushatin: Arsyet pse kryeministri e nxiti agresivitetin?!

8 Qershor 2020 | 22 : 41

Intervista e kryeministrit Edi Rama në emisionin Open në Top Channel kësaj here ka qenë në shumicën e saj një duel ndërmjet tij dhe analistit Andi Bushati.

Kreu i qeverisë, dukshëm me një strategji të përgatitur, në përballjen e tij të parë publike të mundësuar në Open, e ka shfrytëzuar për të “agresuar” verbalisht një nga gazetarët më kritikë të tij.

Nga ana e tij, Andi Bushati nuk ka qenë i ashpër që në fillim, madje ka tentuar një qasje të qetë ndaj politikanit që kritikon më shumë.

Por, pikërisht në këtë pikë ka ndërhyrë Rama duke e shfrytëzuar në favorin e tij dhe ka ndërmarrë një ofensivë ndaj analistit që është edhe ndër kritikët e tij më të mëdhenj.

Rama, duke përdorur manovra të duelit verbal tentoi ta gjejë gabim, e më pas ta vendosë në “anë të ringut”, kur normalisht mund të ishte sjellë krejtësisht ndryshe.

Ishte hera e parë që përballej me një nga kritikët e tij dhe ofroi një model që do të ishte edhe precedent për përballje të tilla në të ardhmen, duke promovuar një gjuhë më të butë në opinionin public.

Por jo, Rama jo vetëm që nuk ndikoi të zbuste gjuhën, por ishte vetë që e promovoi dhe e nxiti duelin me Andi Bushatin.

Debat të ashpër, që e përshkallëzoi edhe me Enton Abilekajn, por në fakt të “keqen” duket se e kishte me Bushatin.

Sipas Gjasave, nuk e ka falur oponencën e ashpër disa vjeҫare të  tij…

Gazeta Shqip