27 Nentor 2023

Kryetari i PD-së Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë për mediat në selinë blu, nga ku ka deklaruar se kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një udhëtim në Nju Jork, por nuk ka realizuar asnjë foto pasi sipas tij asnjë zyrtar nuk pranoi të fotografohej me të.

Berisha u shpreh se Rama është pyetur nga FBI 2 herë lidhur me rastin “McGonigal”, ndërsa shtoi se kreu i qeverisë nuk lejon ngritjen e komisionit hetimor të opozitës, pasi i trembet të vërtetës.

Sipas tij Rama u përpoq të jepte miliona për mbylljen e kësaj çështjeje, por pa pasur efekt.

“Ai ka bërë një udhëtim në Nju Jork pa foto. Në 32 vite, rasti i parë që nuk publikoi asnjë foto sepse asnjë zyrtar nuk pranoi të fotografohej me të sepse protokolli e përjashtoi nga pritja që i jepet.

Sa herë kanë qenë zyrtarë nga Shqipëria janë ftuar, si kryeministra dhe presidentë.

Kësaj here nuk u ftua. Ne do marrim dosjen nga SHBA ku ai është marrë 1 orë e gjysmë në pyetje në dalje dhe 2 orë në hyrje, saqë po i ikte limuzina që i kishin marrë.

Po pyetej nga FBI. Ai nuk lejon të hetojmë për McGonigal-in, sepse do i themi shqiptarëve të vërtetën.

U përpoq të jepte miliona, por pa efekt. Tani mos harroni, McGonigal është bashkëfajtor identik me Ramën para drejtësisë.

Njëlloj është si ai që jep dhe ai që merr ryshfet. Zëri kot nuk i dridhet, trupi kot nuk i përpëlitet kur del para jush. E di që e ka në kurriz këtë punë”, u shpreh Berisha.

Nga OraNews