Dilema, represion apo politikë e re fiskale?

06/08/19

Nga: Ervis Iljazaj

Ka disa javë që ka filluar një aksion qeveritar për kontrollin tatimor në të gjitha bizneset shqiptare, kryesisht në bizneset e bregdetit. Në një aksion, i cili është në kufijtë e represionit dhe aspak normal. Për faktin se, nuk është parë në asnjë vend një ministre Financash që shkon personalisht për të mbyllur një hotel në kulmin e sezonit, me metoda që në vendet normale ka 100 vite që nuk ekzistojnë më.

Sigurisht që, taksat duhen mbledhur, por mënyra dhe efikasiteti në mbledhjen e tyre duhet të jetë e ndryshme. Por, kjo qeveri nuk mund t’i shpëtojë dot tundimit për të bërë publicitet edhe në këtë rast. Ndryshe, nuk mund të shpjegohet shfaqja me shirita që bllokojnë biznese.

E, megjithatë, nuk është ky problem i vërtetë i qeverisë shqiptare.

Një nga problemet më të mëdha të qeverisë “Rama”, e cila e ka karakterizuar gjatë qeverisjes së tij, është mosrealizimi i mbledhjes së të ardhurave. Jo më kot, drejtuesit e administratës, që janë ndërruar më shumë gjatë kësaj kohe, janë drejtuesit e tatimeve apo dhe të doganave.

Para disa ditësh, në një konferencë për shtyp, Kryeministri Rama lajmëroi edhe njëherë zëvendësimin e drejtorit të përgjithshëm të Doganave, duke e argumentuar këtë qëndrim me performancën e ulët në mbledhjen e të ardhurave.

Në fakt, mosrealizimi i planit të të ardhurave nuk është aspak faji i drejtorëve të shumtë që kanë lëvizur në këtë sektor, por është totalisht problem i taksave të larta të ekonomisë shqiptare, e cila ka ndaluar së zhvilluari dhe etatizmit në tërësi.

Cila ekonomi në botë do t’u rezistonte taksave të shumta, të larta dhe kontradiktore të qeverisë Rama.

Ekonomia shqiptare është futur në një rreth vicioz, ku qeveria nuk mbledh dot të ardhurat, dhe si pasojë vendos taksa të reja mbi shqiptarët, siç është ajo e naftës që përflitet në ditët e fundit.

Në këtë kuptim, mosrealizimi i të ardhurave është totalisht pasojë e politikave ekonomike dhe mendësisë etatiste në përgjithësi të qeverisë Rama. Është e kuptueshme që kur mbi një sipërmarrje rëndojnë taksa të shumta, evazioni do të jetë më i lartë. Po të shtosh këtu edhe problemin e ekonomisë shqiptare në këto momente, atëherë panorama është e qartë se përse qeveria ka vështirësi me realizimin e të ardhurave. Nuk është nevoja për të qenë ekspert i ekonomisë për të kuptuar këtë rreth vicioz që po kalon ekonomia shqiptare.

Jo vetëm që kjo qeveri ka taksa të larta, por shpeshherë i ka edhe kontradiktore. Qeveria Rama është duke aplikuar taksa të majta dhe të djathta njëkohësisht, gjë e cila është e papranueshme dhe shpesh çon në revolta qytetare. Rasti më flagrant që demonstron kontradiksionin e sistemit fiskal është taksimi i dyfishtë i qytetarëve për mirëmbajtjen e rrugëve. Qytetarët shqiptarë sot paguajnë një taksë mbi karburantin rreth 30 lekë, të cilat shkojnë për mirëmbajtjen e rrugëve. Tanimë, përveçse taksës indirekte për të mirëmbajtur rrugët, do u shtohet edhe një taksë direkte që duhet t’u paguhet koncesionarëve. Një paradoks në raportin midis qeverisë dhe të qeverisurve.

Një qeveri, e cila qeveris nëpërmjet taksave të larta, presupozohet se u ofron shërbimet qytetarëve dhe jo të vendosë taksa shtesë, për faktin se paratë nuk mjaftojnë për ta ofruar atë shërbim. Kjo mënyrë është shenja më e qartë e inefikasitetit të një qeverie. Nuk ka asnjë gjë të keqe që t’u vendosësh qytetarëve taksa direkte me parimin kush e përdor një shërbim e paguan, siç është rasti i rrugëve, por ama, duhet t’i heqësh taksën indirekte për mirëmbajtjen e rrugëve. Të dyja janë të papërballueshme për një ekonomi.

Prandaj, problemi që ka qeveria Rama me mosrealizimin e planit të të ardhurave, duhet parë në filozofinë ekonomike të saj, ose më saktë, në mungesën e një filozofie të tillë.

Në përgjithësi, qeveria Rama ka aplikuar një qeveri, e cila ndërhyn fort në ekonomi. Një sektor shtetëror që sa vjen gjithmonë e më shumë kontrollon jetën e shqiptarëve, sepse kjo është mënyra më e mirë për të fituar më shumë pushtet për vetë pushtetarët në dëm të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Etatizmi i kësaj qeverie sa vjen e shtohet, i cili për hir të së vërtetës gjen dhe një terren fertil në mendësinë e shqiptarëve, ku gjithmonë e më shumë e kërkojnë zgjidhjen nga shteti.

Politika e di këtë gjë dhe gjithmonë e më shumë shton pushtetin e saj për t’u dhënë zgjidhje çështjeve të ndryshme, por që në fakt, vetëm sa i jep zgjidhje pushtetit të saj personal.

E vetmja mënyrë që ekonomia shqiptare të zhvillohet dhe të marrë frymë është ulja e taksave dhe ulja e rolit të qeverisë në ekonomi. Çdo rrugë tjetër është vetëm në favor të pushtetit dhe jo të shqiptarëve. Paratë përdoren më mirë në xhepat e shqiptarëve sesa në duart e pushtetarëve./

Gazeta Liberale