Dhjetëra të vrarë dhe qindra të plagosur/ Pse konflikti Armeni-Azerbajxhan, mund t’i kushtojë Shqipërisë qindra miliona euro

30 SHTATOR 2020

Armenia dhe Azerbajxhani, po përplasen sërish mbi rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut. Deri tani luftimet kanë shkaktuar dhjetëra të vrarë, dhe qindra të plagosur. Lufta e viteve 1992-1994, shkaktoi 20 mijë të vrarë. SHBA dhe BE, po rrinë të distancuara nga ky konflikt.

Rusia mbështet Armeninë, ndërsa Turqia Azerbajxhanin. Nëse konflikti përshkallëzohet, kjo do të sjellë një rritje të madhe të çmimeve të naftës dhe gazit në tregjet botërore.

Efektet e saj do të ndihen direkt në ekonominë shqiptare. Dje kompania azere “SOCAR”, akuzoi Armeninë se i rinisi luftimet për të sabotuar punën e gazsjellësit Trans Adriatik (TAP). Azerbajxhani planifikon të nisë transportimin e gazit para fundit të këtij viti. Por konflikti vë gjithçka në pikëpyetje.

Shqipëria pret të përfitojë 150 milionë euro në vit, vetëm nga kalimi i gazsjellësit në territorin shqiptar. Plus përfitimeve të tjera nga gazifikimi.

Lufta e rinisur në rajon, mund ta privojë vendin nga këto para shumë të nevojshme, në një kohë kur tërmeti dhe pandemia e kanë zhytur ekonominë në krizë.

Gazeta Sot