Del jashtë funksionit shkolla, u ndërtua nga Bashkia Tiranë 3 vite më parë

– 04/12/19

mapo.al

Shkolla 9-vjeçare “Emin Duraku” në mes të ish-Bllokut ka pësuar dëmtime të rënda duke e bërë të pamundur zhvillimin e mësimit në të pas tërmetit të 26 nëntorit. Po ajo që e bën më alarmante këtë gjë është fakti që godina është rikonstruktuar nga bashkia e Tiranës vetëm 3 vite më parë.

Specialistët e Institutit të Ndërtimit kanë konstatuar dëmtime në strukturën e godinës dhe kane rekomanduar ndërprerje të mësimit deri ne realizimin e nderhyrjeve perforcuese. Sipas inxhinierëve është shkëputur godina shtesë nga godina e vjeter ekzistuese.

Shkolla, e cila përbëhet nga dy godina i është nënshtruar 2 restaurimeve, në vitin 2006 dhe në vitin 2016. Sipas Institutit të Ndërtimit godinat janë shkëputur nga njëra-tjetra.

 

“Plasaritje të thella 45 gradë në muret ndarëse. Dëmtim i traut të katit të tretë, shtesë, tek 9- vjeçarja. Plasaritje të thella të suvasë, shtesë tek 9-vjeçarja. Dëmtim i parapetit në të gjithë godinën. Shkëputje të shtesës nga objekti ekzistues, tek cikli i ulët”- shkruhet në akt- konstatimin që mban datën 3 dhjetor 2019 firmosur nga drejtori i Përgjithshem i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu.

Dëmtimi i godinave të shkollave kërkon një hetim të mëtejshëm pasi këto godina njihen në gjuhën teknike si objekte të rëndësisë së veçantë pasi shkaktojnë tragjedi të përmasave të mëdha në raste tërmeti.

Prindërit që kanë fëmijët në këtë shkollë kanë shprehur shqetësim dhe kanë përpiluar disa kërkesa për bashkinë’;

1- Qëndrueshmëria e ndërtesës e konfirmuar nga grup ekspertësh të huaj ose vëndas, pas ekspertizës të kryer në terren e me proçesverbal të firmosur!

2 – Qëndrueshmëria e ndërtesave ngjitur, rrezikshmëria e tyre lidhet direkt me dëmin që mund ti sjellin ndërteses së shkollës

3 – Shkallët e evakuimit në rast emergjencash

4 – Fëmijët nuk duhet të zhvillojnë mësim kategorikisht në katet e sipërme

5 – Sistemet kundra zjarrit efektive dhe lehtësisht të arritshme në çdo kat ( sipas kushteve teknike të mbrojtjes kundra zjarrit)