DASH prononcim ekskluziv për gazetën “Sot”, SHBA mbështetje të fuqishme SPAK kundër trafikantëve të drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit

Rigels Seliman

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), në një reagim ekskluziv për gazetën “SOT” ka dhënë një përgjigje të qartë mbi dy çështje të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me Shqipërinë. Pyetja e parë e redaksisë sonë iu referua direktivës së re të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, e cila ndalon diplomatët amerikanë të komentojnë mbi zgjedhjet dhe vlerat demokratike në vende të tjera, dhe nëse kjo mund të shihet nga udhëheqësit autoritarë si një tërheqje nga angazhimi historik i SHBA-së për mbrojtjen e demokracisë. Pyetja e dytë kërkoi një konfirmim nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, përfshirë edhe reformën në drejtësi dhe institucionet si SPAK.

Në përgjigje, DASH thekson se Shtetet e Bashkuara nuk merren më me “ndërtimin e kombeve” dhe se u takon vetë qytetarëve të vendosin për të ardhmen e tyre, përmes proceseve të hapura dhe të lira, të mbrojtura nga manipulimet e jashtme dhe me garanci për lirinë e fjalës. Ky mesazh vjen pas mbajtjes se zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri më 11 maj 2025. Nga ana tjetër, Uashingtoni konfirmon se mbështetja për Shqipërinë në luftën kundër grupeve kriminale dhe korrupsionit mbetet e pandryshuar, duke përfshirë këtu edhe asistencën për SPAK, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në zbatimin e ligjit dhe ofrimin e trajnimeve për institucionet shqiptare të drejtësisë dhe rendit.

Përgjigjet e DASH për gazetën “SOT”

Gazeta “Sot”: Direktiva e re e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, e cila ndalon diplomatët amerikanë të komentojnë mbi zgjedhjet dhe vlerat demokratike në vende të tjera, shënon një ndryshim të rëndësishëm në qasjen tradicionale të SHBA-së ndaj mbrojtjes së demokracisë. A do të perceptohet kjo nga udhëheqësit autoritarë si një tërheqje nga angazhimi historik i Amerikës dhe do t’u mundësojë atyre të konsolidojnë pushtetin pa frikë nga presioni ndërkombëtar?

DASH: Shtetet e Bashkuara nuk merren më me ndërtimin e kombeve. U takon vetë qytetarëve të vendeve të vendosin për të ardhmen e tyre, të lirë nga manipulimi i jashtëm, përmes proceseve të hapura politike në kushte të favorshme për ushtrimin e lirive themelore, përfshirë lirinë e fjalës. Shtetet e Bashkuara do të mbeten të palëkundura ndaj vlerave të tyre demokratike dhe do të vazhdojnë t’i festojnë ato vlera kur vendet e tjera zgjedhin një rrugë të ngjashme.

Gazeta “Sot”: Pavarësisht këtij ndryshimi më të gjerë në politikën e jashtme, a mund të konfirmoni nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, duke përfshirë edhe mbështetjen e vazhdueshme për reformën në drejtësi dhe institucionet si SPAK?

DASH: Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave. Grupet kriminale shqiptare luajnë një rol të rëndësishëm në tregtinë ndërkombëtare të drogës, duke shfrytëzuar rrugët e trafikut drejt Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Shtetet e Bashkuara e mbështesin Shqipërinë duke këshilluar institucionet e saj të zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë penale, përfshirë Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar të zbatimit të ligjit të Shqipërisë dhe duke ofruar trajnim për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.