6 Shtator 2022

Kryetari i Parisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur për akuzat e ngritura nga Autoriteti i Dosjeve se ai ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, dhe se ka spiunuar shokun e klasës.

I ftuar në një intervistë televizive, ish-kreu i Shtetit tha se “në dosje nuk është emri Ilir Rexhep Metaj”. Sipas tij, Autoriteti Dosjeve ka kryer veprimtari mafioze.

“Rilindasit jo vetëm nuk më nxjerrin dot nga politika, por me te gjithë popullin shqiptar do t’i përzë sepse janë banditë, sepse po turpërojnë edhe vetë Sigurimin e Shtetit, ata e kishin me ligj, sot këta shiko çfarë prodhojnë. Çfarë bëjnë këta me pronat, me kadastrat, do shikokan dosjet këta tani”, u shpreh Ilir Meta.

Ai deklaroi dhe një herë se është i pastër si dëbora për sa i përket akuzave se ka qenë agjent i ish-sigurimit të shtetit.

“Unë dal këtu përballë jush, dal përballë kujtdo. Ai që kam qenë, jam dhe do jem. E them dhe një herë, jam dëborë i bardhë me të kaluarën time. Kur këta i bëjnë këto veprime ndaj një ish-presidenti, shkelin çdo ligj dhe normë, me e-mail anonim, edhe një procedurë administrative nuk mund të jetë e ligjshme në bazë të anonimatit. Fakti që bëjnë politikë duke bërë lojëra të tilla do të thotë që politika e tyre ka mbaruar”, u shpreh Meta.

Gazeta Shqip