Bregdeti shqiptar me pirqe mbeturinash – 207 milionë lekë për menaxhimin e mbetjeve në zonat bregdetare

17 Prill 2026
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur hapjen e garës për menaxhimin e mbetjeve urbane në zonat bregdetare të vendit. Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, synohet garantimi i pastrimit dhe mirëmbajtjes së vijës bregdetare gjatë sezonit turistik 2026, duke përfshirë një fond limit prej 207 milionë e 588 mijë lekësh.
Në këtë procedurë janë përfshirë një numër i gjerë bashkish që shtrihen përgjatë vijës bregdetare dhe zonave me fluks të lartë vizitorësh, konkretisht Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Pogradec, i ndarë në dy lote.
Loti i parë përfshin bashkitë Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë dhe Pogradec, me një fond limit prej mbi 108 milionë lekësh. Ndërsa loti i dytë përfshin bashkitë Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, me një fond limit prej rreth 99 milionë lekësh pa TVSH.
Referuar dokumentit, ky shërbim konsiston në grumbullimin, largimin dhe transportimin e mbetjeve që depozitohen në kontejnerë nga qytetarët, bizneset dhe operatorët e pastrimit që ushtrojnë aktivitet në këto zona, duke kontribuar kështu në përmirësimin e imazhit urban të zonave turistike.
Gjithashtu, operatorët do të jenë të detyruar të kryejnë dezinfektimin e kontejnerëve pas çdo procesi zbrazjeje, për të garantuar standarde të larta higjieno-sanitare.
Një tjetër komponent i rëndësishëm i këtij shërbimi është mirëmbajtja dhe pastrimi i hapësirave publike, përfshirë trotuaret, shëtitoret e plazheve dhe sheshet kryesore. Punonjësit e angazhuar në këtë proces do të duhet të pastrojnë vazhdimisht këto zona nga mbetjet, të krijuara si rezultat i aktivitetit të përditshëm të qytetarëve dhe turistëve.
Në dokument theksohet qartë se nuk do të tolerohen kontejnerë të tejmbushur apo mbetje të shpërndara në ambientet përreth tyre. Po ashtu, kontrata parashikon masa ndëshkuese dhe penalitete për çdo shkelje të kushteve të përcaktuara, përfshirë rastet kur gjatë transportit të mbetjeve ndodhin ndotje të mjedisit.
Referuar dokumentit, kjo është një ndërhyrje e rëndësishme që do të ndikojë në përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në zonat turistike të vendit, veçanërisht në prag të sezonit veror, ku fluksi i vizitorëve rrit ndjeshëm nevojën për shërbime efikase dhe standarde të larta pastërtie.
