28 Shkurt 2024

Në vazhdë të aktiviteteve të mbajtura me rastin e 80-vjetorit të masakrave ndaj shqiptarëve të Çamërisë, shoqata “Çamëria” ndalet këtë fillim jave tek arbëreshët e Greqisë. I sjell në vëmendje përmes botimit  “Arvanitët, themeluesit e Greqisë së re” që studiuesi Arben Llalla ka shkruar.

“Libri i Llallës flet me fakte, na e tregon ndryshe historinë e rreme greke, se shqiptarët arbëreshë, arban, çamët etj., janë vendas të vjetër, dhe në Greqi kanë shkuar gjatë shekujve IX-XIII”, shprehet kryetari i Shoqatës Patriotike Çamëria Liljan Idrizaj.

Në praninë e studiuesve, figurave politike e të fushave të tjera, flitet për rolin kyç të arvanitasve në Pavarësinë e Greqisë, që ky libër nxjerr në pah.

“Siç thuhet në libër, 90 nga 100 heronjtë e kohës janë shqiptarë arvanitas dhe gjuha arvanitase ishte shqipe e vjetër. Llalla shtjellon në libër më gjatë për rregulloren e flotës greke në gjuhën shqipe dhe se akademikë, kryeministra, presidentë etj., janë formuar nga arvanitë, çamë, epiriotë, pra nga shqiptarët”, thotë më tej Idrizaj.

Autori, tregon si nisi ti grumbullojë këto materiale në Greqi ku emigroi.“Unë kisha emigruar në Greqi si shumë shqiptarë, por Dritëro Agolli më lidhi me studiuesin Aristidh Kola dhe që atëherë unë nisa t’i grumbulloj këto materiale”, tregon studiuesi Arben Balla, autor i librit.

Rrëfen më tej, se gjatë viteve ’93-2004 pati mundësi të studiojë mbi arvanitasit e Greqisë dhe të hulumtojë më gjerë mbi këtë temë.“Në fillim vitet ‘2000, pasi kisha grumbulluar disa materiale, doja t’ia bëja dhuratë Akademisë pasi unë isha edhe shumë i ri në moshë. M’u përgjigj sekretari në atë kohë, duke më thënë që i kishin. Pas kësaj takova studiuesin çam Ibrahim Hoxhën dhe ai më tha: “Ke dy rrugë, ose t’i dorëzosh në Ambasadën Greke për pak dhrami, dhe ata t’i groposin shtatë pashë nën dhe, ose t’i mbash, t’i pasurosh, t’i studiosh e pse jo të jenë të botuara. Kështu nisi rruga ime si studiues”, thotë më tej Llalla.

Libri gjendet tanimë i përkthyer edhe në gjuhët greke dhe atë angleze, deputeti Shpëtim Idrizi, vlerëson kontributin e Llallës për t’i dhënë zë çështjes së arvanitasve.“Llalla ka qenë një zë i fortë me botimet, shkrimet e tij, pasi shtetet me propagandë të madhe përmbysin të vërteta shumë të mëdha”, tha deputeti i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Botime, të tilla siç thotë ai duhen vlerësuar, si pika përbashkuese mes Shqipërisë e Greqisë.“Ky libër shërben edhe për ta ftuar Greqinë që gjithë këto figura shqiptare që kanë luftuar për Pavarësinë e Greqisë t’i shohim si ura të përbashkëta, jo siç i shikon Greqia si mure e barriera që nxisin racizmin”, thotë më tej Idrizi.

Shoqata “Çamëria do të vijojë të kujtojë gjenocidin ndaj popullsisë çame dhe me të tjera aktivitete.

Gazeta Shqiptarja.com