18 Shkurt 2023

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se ka pasur “diskutime produktive” me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet një konferencë për sigurinë.

“Biseduam për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve [të Serbisë] me Kosovën dhe për atë se sa e vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën”, shkroi Blinken në Twitter.

“Ne e ndajmë dëshirën e Serbisë për një të ardhme me Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Vuçiç, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, shkroi në profilin e tij në Instagram se në takim me Blinken, përveç se u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, u konfirmua edhe “përmirësimi e marrëdhënieve” mes vendeve të tyre.